Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen Dheu i Bardhë të Gjilanit është në gatishmëri të plotë profesionale për të preventuar përhapjen e virusit Corona.
Nënkryetari Arbër Ismajli së bashku me drejtorin për Shëndetësi, Selami Xhemaili, e kanë vizituar këtë qendër, duke parë nga afër angazhimin e madh aty.
“Kjo qendër mjekësore na konfirmoi faktin, se gjendja e qytetarëve në këtë pjesë është përgjithësisht e mirë, dhe nuk ka asnjë rast të dyshuar me simptoma të coronavirusit. Gjithashtu, u konfirmuan masat shtesë që janë ndërmarrë nga kjo Qendër e Mjekësisë Familjare, si parapërgatitje në rast të paraqitjes së virusit corona”, deklaruar Ismajli, pas vizitës.
Ai e ka falënderuar kryetarin e lagjes së Dheut të Bardhë, Besnik Mustafa, për gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë banorëve të kësaj zone, derisa u zotua se ekipi emergjent i Komunës do të jetë në mbështetje të plotë për nevojat dhe kërkesat e këtyre banorëve.
“I lus të gjithë qytetarët që kanë ndjeshmëri ndaj gripeve, apo ata që kanë ndonjë simptomë, të mos hezitojnë të dalin para mantelbardhëve, sepse është e vetmja mënyrë që ta trajtojmë dhe parandalojmë këtë pandemi”, tha Ismajli, duke shtuar se çdo tendencë për të shmangur përballjen me simptomën e sëmundjes, është baza primare e përhapjes së tërsishme të saj.