Shkruan:Nevzad Isufi
INMEMORIAM
NAIM SHAQIRI
(14.02.1963-04.03.2020)
Sot në orët e paraditës, morëm lajmin për vdekjen e një kolegu tim, punëtori të arsimit, një aktivisti të viteve ’80-ta, viteve ’90, të kohës së luftë e të pasluftës. Lajmi të hidhur për vdekjen e papritur të kolegut, punëtorit të arsimit, Naim Shaqirit-profesorit të gjuhës angleze, na tronditi të gjithëve. Profesor Naim Shaqiri ka punuar afër dy dekada në disa në shkolla tona të mesme dhe së fundi ishte duke punuar në shkollën e mesme profesionale teknike “Mehmet Isai” në Gjilan.
Naimi, qysh si nxënës, njihet si një veprimtar i viteve ‘80-ta, hyn në grupin e njerëzve që do bie në sy të pushtetit të atëhershëm, për shkak të veprimtarisë së vet kombëtare, por edhe për shkak se ishte vëlla i veprimtarit të çështjes kombëtare e të burgosurit politik – Irfan Shaqiri. Ngjarjet e vitit ‘81, demonstratat e ngjarjet pasuese, periudha e viteve studentore, lëvizjet studentore nuk mund të jenë jashtë interesimit të Naim Shaqiri, si edhe të një pjese të madhe të gjeneratës sonë. Pas studimeve, dhe në vitet ’90-ta, do të punoj në arsim, duke ligjëruar gjuhën angleze. Në vitet e luftës, Naimi u burgos e persekutua nga pushtuesit serbë. Pas Luftës, me ardhjen e UNMIK-ut, Naimi do të angazhohet si përkthyes i administratorit nga UNMIK për qytetin e Gjilanit. Pas kryerjes e misionit të UNMIK-ut, Naimi kthehet në procesin mësimor. Naimi ishte i angazhuar edhe në aktivitete bëmirëse, po ashtu ishte anëtarë shumë aktiv edhe në Klubin e Rotarianëve të Gjilanit, me ç’ rast ka ndihmuar, shkolla, organizatat e institucione tjera.
Naimi ishte shok i mirë, i shoqërueshëm, ishte i afërt me kolegë e me nxënës. Vdekja e papritur e ndau nga më të dashurit, nga bashkëshortja, nga familjarët, vëllezërit, kolegët, nxënësit e shoqëria e gjerë.
Në emër të QLVV në Gjilan dhe në emrin tim, i shprehim ngushëllime të thella; bashkëshortes, familjes, kolegëve të shkollës e nxënësve dhe gjithë miqve!