Ushtari im ka plagë në shtat!
Shkruan: izmi ZEKA
Ushtari im po shumë ke pasur dhimbje. Nuk di a e mbani mend. E more Gjergj e mbrojte Evropën kur dhimbja trokiste në derë. Nuk durove plagët as edhe shpatën që sillej mbi kokë. Ike pa na lënë asnjë amanet. E ne Gjergji im u vardisëm pas shekujve duke u vrarë e kockat nuk e di as ku i lamë. Nuk bëri punë as Letërsia e Humanizmit -me përfaqësues kryesor Marin Barletin as Letërsia Filobiblike me përfaqësues Pjeter Budin, Pjeter Bogdani, Frang Bardhin. Jo jo as Letërsia e Bejtexhinjve me përfaqësues Muhamet Kyçykun, Nezim Berati me një fjalë ushtari im nuk mundëm apo nuk ditëm dhe mbetëm duke u përballur me krismën dhe rëniet e përditshme.
E more Ali Pashë Tepelena, që frikën ta pati Stambolli e populli yt të harroi pa pash e nishan. Sa gjaku u derdh rrëke. E kush mbeti ushtari im i pa përvuajtur, i pavrarë me shekujt e rëndë. Ushtari im, ne ishim të mirë për të tjerët u bëmë pashallarë, sadriazema e ku mbetëm, qanim pa ndal në Stamboll, Bukuresht, Boston e rrugëve në Itali e ku jo.
Sa e dhimbshme. As rilindësit tanë nuk bënë punë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ajo e Pejës u mbytën në gjak ushtari im e ne vajin se ndalëm kurrë. Shumë shekuj ikën dhe liria mbeti ëndrra e vetme e tyre që dhanë jetë me barbarë të ndryshëm.
Ëndrrat asnjëherë nuk u shuan ushtari im, as edhe kur Shqipëria ngriti flamurin në Vlorë. Të ndarë, bërë copa copa toka jonë dhe ne mbetëm vaji i botës të pa krahë e dikush na quante edhe njerëz me bishta.
Ne lexonim shkrimtarët e Rilindjes kombëtare, si Naim Frashërin, Jeronim de Radaën, Zef Skiroin, Anton Zako Cajupin, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjedjen, Asdrenin, etj.
Prirja jonë lidhej edhe me Revolucionin Borgjez –Francez, që bëri ndryshimet e mëdha si në jetën politike ashtu edhe letrare e fundshekullit XVIII dhe shekullin XIX. A ushtari im lexonte poetët e romantizmit si Viktor Hugon, Aleksander Pushkinin, Johan Volfgang Gëten dhe Lord Bajronin. Por më kot. Sa kalonte prej një kohe në tjetrën, ushtari im me pushkë në krah e adhuronte shumë Xhejms Xhojs Ulisin,Franc Kafkën,Alber Kamyn,Samuel Beketin, Tomas Eliot Katerin, Ernest Heminguejin,Dino Buxatin, Gabriel Markezin.
Por as këta nuk na bënë punë ushtari im i përjetshëm. Ne e vramë Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Avni Rrustemin e shpeshherë ne vramë edhe vetveten.
Ne kishim qeveri në Shqipëri e nuk kishim qeveri. Ne vriteshim në Kosovë sikur mos të ishim krijesa njerëzore. Thereshim me thika e bajoneta e as që dëgjonte kush për ne.
Ne ishim partizan, Balliste e çka jo.
E ushtari im ëndërronte lirinë e pagjetur që shekujt e kishin tretur. Ishim të harruar nga bota. E dhimbja jonë mbetej në këngët e sharkisë dhe poezitë e shkruara diku larg atdheut. E ushtari bridhte ditë e natë, duke u endur ca në dritë e terr për pakëz liri dhe drejtësi që se gjente askund. Të bërë copa-copa ca në Shqipëri e ca në Serbi, ca në Çamëri e ca në Maqedoni, ca në Mal të Zi e ushtari im bridhte pa ndal andej e këndej vetëm tu tregonte se gjaku, gjuha dhe e kaluara ishin e njëtrajtshme dhe se të gjithë ishëm vëllezër dhe motra të një gjaku.
Sa mbreti kaloi në këto troje, sa pashai ngriti pashallëqe e ne robërit e harruar kurrë nuk arritëm të dimë se nga është perëndimi. Çetat e kaçakët bridhnin maleve për të mos duruar robërinë. Por, mbeten vetëm kaçak e çeta që u vetëflijuan.
Sa gjaku u derdh e kush s’na bëri derman. E ushtari im jetonte duke ëndërruar lirinë e shekujve të humbur.
Ne nuk duronim shqiptarin e mençur as luftëtarin e denjë. Sa qeveritë u rrëzuan e u vranë në mes vet në çerekun e parë të shekullit XX. Dikush nga lindja e dikush ka perëndimi. As librat ushtari im nuk i shkruajnë të bëmat tona vetëm për një lek apo dinar që e shitem e stërshitem tokën tonë arbërore.
E ushtari im pa grada as ofiqe shëtit nëpër shekuj për tu kthyer fitimtar në vendin e vetë. Ai nuk pranonte dekorata as medaljonet, donte thjesht të mbetej ushtar i thjesht. Sa herë e kam takuar duke qarë jo nga ligësia, por nga dhimbja që e shihte popullin dhe katandisjen e tij.
Ushtari im ishte kronikan, pushka dhe një fletore ishin jeta e tij. Kishte edhe një bibliotekë që as ballkanasit nuk e kishin. Shpesh futej në të dhe shikonte pa ndalur e ku me qiriun dhe librin kalonin natë të tëra. E adhuronte Homerin, Nerudën, i lexonte filozofët grek, por për jetë e kishte Gjergjin.
E kur Adem Jashari me familje luftoi kundër serbit, ushtari im nuk më takoi. Diku në sirtarët e mi gjeta një letër që shiheshin pikat e lotit, ku kishte shkruar ”Amanet Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ruane si sytë e ballit, Shqipëria po bëhet!. Unë po iki në Çamëri dhe mos më mbaj inat që as nuk të takova, nuk ta zgjata dorën përherë të fundit.
Ushtari im iku sikur të ishte hije e mijëvjeçarëve. Edhe sot më duket se po e shohë ashtu duke bërë shëtitje në histori, duke lexuar Napoleonin, që e kishte për merak e duke vrapuar pas Çerçizit.
Mos harroni ushtari im ishte kronikan, por edhe luftëtarë ku pushkën e kishte amanet nga stërgjyshit.
Tani më treguan se ushtari im ka plagë në shtat, jo të Gjergj Elez Alisë, por vetë historisë. Fillova të bërtas çfarë keni mos ma prekni ushtarin tim, që as historia nuk e kurseu nga plagët e shumta. Lëreni ai është vetëm ushtarë, nuk kishte tituj dhe nuk i donte ato.
Ikën pak ditë dhe ushtarin tim e vranë kur lira po ngrehte shtat. Dëgjova se edhe pushkën dhe fletët e shkruara ia kishin marrë.
Ndoshta një ditë do ta gjejë së paku ta “varrosi”. Unë kam amanet e ju…