As takimi i sotëm ndërmjet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës nuk ka sjellë marrëveshje për bashkëqeverisje ndërmjet VV-së dhe LDK-së.
Takimi që ka zgjatur saktësisht tri orë e ka prodhuar vetëm një rezultat: Një takim të ri nesër.
Burime të sigurta të Ballkani.info brenda takimit të dy palëve kanë thënë se Isa Mustafa ia ka prezantuar tri opsione Albin Kurtit që të jenë pjesë e qeverisë.
LDK-ja e ka kërkuar kryeparlamentarin, nëse jo atë, atëherë dy ministri më shumë se sa VV-ja. Nëse edhe këto dy opsioni nuk pranohen nga partia e Kurtit, partia e Mustafës e do pozitën e kryeministrit.
Ndërkaq, në anën tjetër, Kurti në asnjë mënyrë nuk ka pranuar që LDK-ja t’i ketë dy ministri më shumë, por vetëm një dhe mosemërim të zëvendëskryeministrit të dytë, në këtë rast mosemërimin e Haki Abazit.
Burimet e Ballkani.info tutje thonë se opisionale si ministri që t’i kalojë LDK-së është ajo e Punëve të Jashtme ose Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë, varësisht cilën do ta përzgjedh LDK-ja.
Të kujtomë se pas takimit të sotëm, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa tha se ka përafrim të qëndrimeve, duke mos dhënë më shumë detaje. Edhe VV-ja përmes një njoftim të shkurtër pas takimit tha se ka përafrim me LDK-në. /Ballkani.info/