Derbi më i madh në vendin tonë pritet të zhvendoset sipas të gjitha gjasave në Prishtinë. Gjilani dhe Drita mund të takohen në stadiumin e kryeqytetit pas gati dy dekadash, që tashmë mbanë emrin e legjendës së futbollit kosovar “Fadil Vokrri”.
Derbi mund të luhet në kryeqytet për arsye të kushteve dhe sigurisë, të cilat për momentin nuk i plotëson stadiumi në rinovim e sipër në qytetin e Gjilanit.
“Po, është e vërtetë që kemi bërë kërkesë në Federatën e Futbollit të Kosovës për ta luajtur derbin ne stadiumin Fadil Vokrri. Arsyet janë të shumta duke filluar nga kushtet e vështira për ta organizuar ndeshjen në Gjilan, pasi që stadiumi është në rinovim e sipër dhe kemi vështirësi të madh. Çështja e sigurisë është një faktor tjetër për të cilën kemi menduar që më mirë do jetë për ta zhvilluar derbin në Prishtinë. Kemi mbetur ta dërgojmë kërkesën edhe në Policinë e Kosovës për të kërkuar sigurinë për këtë ndeshje”, deklaroi Robelli.
Të hënën pritet të vije përgjigjja zyrtare e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në rast se pranohet kërkesa e zyrtarëve të klubit të Gjilanit, atëherë derbi do të luhet me 6 (e shtunë) ose 7 prill (e diel) nga ora 20:00, merr vesh Gazetasheshi.com.
Detaje të tjera si çmimi i biltave dhe ndarja e sektoreve për tifozët ende nuk është konfirmuar, megjithatë Gazetasheshi.com do ju mbajë të informuar në lidhje me çdo informacion për këtë ndeshje./gazetasheshi/