Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka mbajtur sot seancën e tij të katër me radhë për këtë vit.
Në këtë seancë janë aprovuar tarifat e energjisë elektrike për vitin tarifor 2022, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT); Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO).
Siç njofton ZRRE, tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar.
“Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
“Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”.