E nisën pikërisht nga kryeqyteti historinë e tyre të rivalitetit. Stadiumi i kryeqytetit sjell vetëm kujtime të mira për dy klubet nga qyteti i Gjilanit: Gjilanin dhe Dritën, të cilat kanë fituar trofe pikërisht në këtë impiant, i cili sot mban emrin e legjendës “Fadil Vokrri”
Ishte Gjilani i parë që triumfoi pas luftës në këtë stadium, derisa arriti të fitojë Kupën e Kosovës në edicionin 1999/00, teksa në finale e mposhti Besianën me rezultat minimal 1-0.
Atë kohë në krye të klubit gjilanas qëndronte presidenti Shukri Sylejmani, ndërkohë ekipi udhëhiqej nga Musa Selimi.
Por, kjo nuk ishte finalja e vetme që “jargovanët” e zhvilluan në këtë stadium. Edhe dy vite të tjera rradhazi Gjilani gjendej në finalen e Kupës, por që nuk arriti ta përsëriste suksesin e vitit 2000.
Në edicionin 2000/01 Gjilani u mposht nga rivali lokal Drita vetëm pas ekzekutimit të penaltive 6-7, teksa koha e rregullt kishte përfunduar 1-1.
Ndërkohë, në edicionin 2001/02 gjilanasit u mposhtën nga Besiana me rezultat 2-1.
Foto: Pamje nga festa e Gjilanit pas triumfit në finalen e Kupës së Kosovës në vitin 2000 përballë Besianës 1-0
Stadiumi i Prishtinës është ogur i mirë edhe për bardhekaltërit që gjithashtu kanë ngritur trofe në qiellin e hapur të këtij impianti.
Në edicionin 2000/01 për herë të parë Drita stolisej me një titull kampion, derisa atë e bënte pikërisht përballë rivalëve të përbetuar, Gjilanin, teksa triumfonte 6-7 pas ekzekutimit të penaltive.
18 vite më pas Drita rikthehej për të triumfuar në këtë stadium. “Intelektualët” do festonin triumfin në Superkupën e Kosovës për edicionin 2017/18, teksa mposhtën Prishtinën me rezultat 2-1.
Foto: Pamje nga festa e Dritës pas triumfit në finalen e Superkupës së Kosovës në vitin 2018 përballë Prishtinës 2-1
Të suksesshme kanë qenë edhe udhëtimet e dy tifo grupeve gjilanase në kryeqytet. Madje, “Skifterat” e Gjilanit udhëtuan dy herë brenda pak javës në Prishtinë këtë edicion, por që panë vetëm një ndeshje, pasi që dueli i javës së parë ndërmjet Prishtinës dhe Gjilani ishte shtyrë.
“Skifterat” numërojnë një sërë paraqitjesh në kryeqytet, teksa kanë qenë disa herë të vendosur në tribunën Lindore, atë Perendimore dhe në pjesë Veriore të stadiumit.
Foto: Udhëtimi i fundit i “Skifterave” në Prishtinë
“Intelektualët” janë njëri ndër grupet e tifozërisë që e kanë vizituar më së shpeshti stadiumin ikonik të kryeqytetit.
Finale të Kupës, finale të Superkupës dhe përballje kampionale ndaj ekipeve nga kryeqyteti.
Paraqitja e tyre e fundit ishte në vitin 2018, teksa Drita e tyre triumfonte përballë Prishtinës 2-1 në finalen e Superkupës.
Foto: “Intelektualët” në finalen e Superkupës, edicioni 2017/18./GazetaSheshi/