Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se situate e krijuar me tekstet shkollore sipas tij është e pakuptimt.
Sipas tij, Qeveria Kurti ka pasur vetëm fjalë të mëdha e në vend se të sigurojë pajisje teknologjike për shkolla, nuk po ua siguron as librat.
“I premtova kryetarit Haradinaj që punëtorët e arsimit edhe në këto rrethana të padrejta të këtij sulmi të ri ndaj prindërve, nxënësve dhe neve arsimtarëve të Qeverisë Kurti, MASHT-it dhe Qeverisë, ne do ta vazhdojmë betejën për dije me kushtet që i kemi dhe po e them edhe njëherë që Qeveria me gjithë ato fjalë të mëdha të Kurtit, në vend që të na sjell laptopë e projektorë, nuk po na sjell në shkolla as libra.Ne do ta vazhdojmë betejën me gjysmë libra, shkumës e shpuzë. Edhe ne jemi prindër, urojmë që prindërit ta kalojnë këtë siklet dhe urojmë që mos të ketë orë të humbura”, tha ai.
Ai tha se nuk do të këtë greva dhe mësimi do të fillojë të premten.
“Pikëpyetja më e madhe është se grevë s’ka, mësimi fillon të premten, por do të kemi nxënës dhe mësimdhënës pa mjetin e vetëm fatkeqësisht, pa tekste shkollore. Nuk dihet kur do të arrihet të kompletohemi me tekste shkollore”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj përveç teksteve ka ngritur edhe një shqetësim tjetër në këtë takim.
“300 kolegë kanë kërkuar pushim pa pagesë dhe kam frikën se këtë pushim ata mund ta shfrytëzojnë për të dal jashtë vendit dhe nëse rehatohen atje nuk do të kthehen më dhe pastaj të tjerët do ta ndjekin të njëjtën rrugë dhe çfarë na duhet nxënësit në shkollë pa mësues”, tha ai.