Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit [SBASHK], Rrahman Jasharaj ka thënë se është faji i prindërve pse nxënësit kanë shkuar sot në shkollë, pavarësisht paralajmërimit se mësimdhënësit nuk do të mbajnë mësim. Jasharaj, në një deklaratë dhënë Periskopit iu është kundërpërgjigjur deklaratave të kryetarit të Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i cili akuzoi SBASHK’un e shtetin se po tallen me fëmijët. Jasharaj thotë se Reshiti duhe t’i shikojë punët e veta, meqë nuk përfaqëson asnjë prindër të Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, iu është kundërpërgjigjur deklaratave të kryetarit të Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i cili akuzoi Sindikatën se së bashku me shtetin po tallen me fëmijët.
Jasharaj, në një deklaratë dhënë Periskopi ka thënë se ka kohë që Sindikata nuk e njeh si kryetar të Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti.
Madje, sipas Jasharajt, Reshiti nuk përfaqëson asnjë prind, andaj i ka bërë thirrje që t’i shikojë punët e veta.
Atë kryetar ne e kemi vënë në pikëpyetje, pas komunikimit që kemi pasur ne me kryetarë të këshillave të prindërve nëpër komuna. Ai nuk është kryetar i askujt dhe s’mund ta akuzojë SBASHK’un. Ne nuk e ndryshojmë qëndrimin tonë. Ligji nuk na obligon t’i kompensojmë orët e humbura në grevë, andaj nuk do të ishte mirë të bëhej gjithë ky presion ndaj mësimdhënësve. Ai kryetar i ashtuquajtur i prindërve nuk përfaqëson askënd dhe le të na fajësojë çka të dojë, por ne jemi në mbështetje të ligjit, i cili ndalon kompensimin e orëve”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj tutje ka deklaruar se nuk është e vërtet që prapa tyre qëndron Partia Demokratike e Kosovës.
“Nuk është e vërtet se ne kemi mbështetje të PDK’së, as që e dua atë mbështetje. Ne kontaktojmë me të gjitha subjektet politike dhe kërkojmë nga ta potësimn e kërkesave tona. Reshiti është në shërbim të MASHT’it, andaj le t’i shikojë punët e tij. MASHT’i e ministrit Bytyqi po synojnë ta dobësojnë SBASHK’un. Kryetar i vetëquajtur i prindërve nuk ka të drejtë të flas në emër të të tjerëve”, ka thënë Jasharaj për Periskopin.
Edhe njëherë, ai tha se mësimdhënësit janë në pritje të vendimit të Gjykatës për çështjen e kompensimit të orëve.
“Është ministri që duhet të pres çka po thotë Gjykata dhe ne do ta respektojmë atë vendim të Gjykatës, cilido qoftë ai”.
Ai u ka bërë thirrje prindërve që mos t’i dërgojnë fëmijët nëpër shkolla të shtunave.
“Fëmijët dhe prindërit të cilët duan t’i tregojnë MASHT’it dhe DKA’ve se ja ne po i dërgojmë fëmijët në shkollë të shtunave, ata duhet të kenë më shumë respekt për mësuesit të cilët kanë vendosur të mos i kompensojnë orët e humbura në grevë. Shkuarja e fëmijëve në shkollë sot është përgjegjësi e prindërve. Ata nuk do të duhej të vepronin ashtu, nëse e kanë dit që mësimdhënësit nuk kanë vendosur për kompensim të orëve të humbura”, ka thënë ai
Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar edhe kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshitin.
Ai ka thënë se si prindër janë zhgënjyer me veprimin e mësimdhënësve, të cilët nuk u shfaqen fare nëpër shkolla.
Ai ka kërkuar nga shteti, përkatësisht nga Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Komunat që të mos bëjnë hajgare me fëmijët në këtë mënyrë.
“Ne kemi kërkuar që të bëhet zëvendësimi i orëve të humbura, pasi kjo është e drejtë e ligjshme dhe kushtetuese e nxënësve të Kosovës. Kjo është një zhgënjim që si veprim nuk e kemi pritur nga mësimdhënësit. Nuk kemi besuar se ndodh një gjë e tillë pasi edhe SBASHK’u vazhdimisht deklaron se punon për të mirën e nxënësve, mirëpo vepra e tyre sot na ka zhgënjyer si prindër. Nuk e kemi prit sepse ata në vend që të jenë në krye të detyrës për të cilën paguhen, i kanë lënë nxënësit pa mësim, pavarësisht mundimit të tyre për me shku nëpër shkolla”, ka thënë Reshiti për Periskopin.
Për gjithë këtë situatë, Reshiti përveç shtetit, fajin ia hedh edhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.
“Ka dështu shteti në zbatimin e vendimeve të veta, në zbatimin e ligjit, ka dështu në ofrimin e të drejtës kushtetuese për shkollim të nxënësve. Prej qeverisë, ministrisë e komunave, ka dështu shteti, sepse një sindikatë, një organizim shoqëror të dal mbi ligjin, është një rast i dështimit të shtetit dhe elitës së shoqërisë që e quajnë vetën mësimdhënës”, ka thënë tutje Reshiti.
Ndërkohë, dje ishte paraparë që të fillonte zëvendësimi i tri javëve të humbura mësim pas grevës së mësimdhënësve, të prirë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
Prindërit i çuan nxënësit nëpër shkolla, pas vendimit që lëshoi Ministria e Arsimit, por mësimdhënësit nuk shkuan fare nëpër shkolla.
Kujtojmë se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, javën e kaluar u ka bërë thirrje edhe njëherë të gjithë mësimdhënësve që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës, por këta të fundit, po u binden Sindikatës së Bashkuar së Arsimit.