Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka shprehur zhgënjimin e tij për qasjen e qeverisë Kurti ndaj kërkesave të sindikatave dhe punëtorëve në sektorin publik.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë moment pozitiv që do të veçohej për të mirën e punëtorëve.
“Që nga fillimi, qeveria ka pasur një qasje kundërshtuese ndaj kërkesave të punëtorëve, qofshin ata në sektorin e arsimit, policisë apo zjarrfikësve. Madje, ka pasur momente kur kjo qasje ka qenë armiqësore, me përpjekje për të shuar sindikatat”, deklaroi Jasharaj, në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
Ai shtoi se kërkesat e sindikatave janë bërë publike, janë dërguar përmes shkresave zyrtare dhe janë mbështetur me protesta, por asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga qeveria.
“Kërkesat tona janë legjitime dhe sindikale. Nëse ka probleme në sektorin e arsimit, përgjegjësia bie mbi MAShTI-n, sepse punëtorët nuk i zgjedhim ne, theksoi Jasharaj.
Megjithatë, ai nënvizoi se gjendja në arsim nuk është aq e dobët sa paraqitet nga disa, por ka nevojë për përmirësime të mëtejshme për të siguruar standarde më të larta.