Pas grevës afër dy javëshe të mësimdhënësve, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se kërkesat e tyre janë legjitime dhe janë në pritje të dialogut me Qeverinë.
Në një konferencë për media, Jasharaj theksoi se Qeveria në vend se të dialogojë, po “shëtit nga një komunë në tjetrën”.
“Jemi në rrugë te drejtë, kërkesat tona janë legjitime. Uroj që Qeveria Kurti ta ndërrojë qëndrimin edhe ndaj grevës dhe nëse vërtet i do shkollat me nxënës, nëse vërtet i do komunat dhe institucionet e larta me qytetarët duke kryer kërkesat e tyre, atëherë le të ulet me ne, le të fillojë së realizuari kërkesat tona”, tha ai.
Tutje, ai shtoi se deklaratat e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se dyert janë të hapura për SBASHK-un, janë sa për të krijuar një porosi të gabuar.
Sipas tij, Nagavci tani nuk ka kohë për t’u takuar me ta, pasi po shkon “nëpër vizita e shëtitje”.