Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka reaguar pas shtesave prej 100 euro për fundvit për fëmijët dhe pensionistët, gjë që siç thotë ai “nuk ka ndezur” ashtu siç kishte pritur Ministri Hekuran Murati.
Jasharaj thotë se në vend të entuziazmit, brohoritjeve e falënderimit që Murati priste, pati e vazhdon të ketë reagime dhe kundërshtime për këtë ndihmë.
“Për tri ditë me radhë Ministri Murati bashkë me Kryeministrin Kurti e me bashkëpunëtorë kishin numëruar qindra milionat e mbetura në buxhet dhe në këshillim me Elvisin, Ramabajën, Dimalin e me ekspertë të tjerë u pajtuan që të shpërndajnë ca milionë euro dhe menduan se do t’u ndez ky veprim me fëmijët dhe pensionistët. Murati priti se fëmijët kudo në Kosovë do të dalin në oborret e shkollave e do ta brohorisin emrin e tij, por kjo nuk ndodhi.
Hekurani mendoi se pensionistëve do t’u duket sa bjeshka ky 100 euro dhe do t’u shihet buzëqeshja bile një herë në vit, por as kjo nuk ndodhi. Në vend të entuziazmit, brohoritjeve e falënderimit pati e vazhdon të ketë reagime dhe kundërshtime për këtë ndihmë”, thotë kreu i SBASHK-ut.
“Për t’ia hequr pikëllimin e mllefin Hekuranit po i tregoi se ka aty e këtu fëmijë e pensionistë që u gëzuan shumë për këtë dhuratë. Një fëmijë në Pejë më ndali në rrugë dhe plot gaz me tregoi se me ato 100 euro do të blej drita dekoruese, bredh dhe balona. Më tha se në balona do të shkruaj emrin Hekuran.
“Murati duke parë se nuk ndezi ideja e shpërndarjes së milionave hidhërua dhe zbuloi në formular, që nuk e ka kush në botë. Kush nuk gëzohet dhe nuk falënderon Qeverinë për këtë dhuratë prej 100 euro, mos t’i merr ore”.
Jasharaj thotë se puan e formularit për refuzimin e 100 eurove, askund në botë nuk ndodh.
Ai thotë se kjo “qeveri e idhnakëve” vendos vet kë të shpërblej e kë të ndëshkoj.
“Besoj se ky nuk është zbulimi i fundit i tij , por ju lus mos e hidhëroni më shumë Hekuranin se këtë formularin e ka në plan ta përdor edhe në fund të janarit sepse për ngritjen ironike prej 55 euro kishte shumë kundërshtime e reagime. Në këtë formular do t’u thotë të punësuarve në sektorin publik, pra punëtorëve të arsimit, policisë, zjarrfikësve, të punësuarve në shëndetësi, administratës e të tjerëve se kush e përbuz rritjen prej 55 euro mos t’i merr, bile mund të heq dorë edhe nga e tërë paga.
“Kjo Qeveri është e idhnakëve dhe nuk qanë kokën çka thotë populli e çka është demokracia, por vendos vet se kë ta shpërblej e kë ta ndëshkoj. Mos harroni se kjo Qeveri i nxiti qytetarët që të heqin dorë nga ngrohja me dru e pelet po të orientohet në aparatura moderne me rrymë madje edhe duke premtuar subvencionim të një pjese të pagesës për to.
“Tash rrymë nuk ka sa duhet dhe do të nxehemi me batanije e do të hamë bukë me konserva”, thotë Jasharaj.
/Reporteri.net/