Komisioni për Arsim në Kuvendin e Kosovës ka diskutuar rreth situatës së krijuar së fundmi, ku ka kërkuar kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës. Përderisa MASHT ka marrë vendim që orët mësimore të zëvendësohen, SBASHK’u po del të jetë kundërshtues i madh, madje rastin e ka dërguar edhe në Gjykatë. Kjo sindikatë ka bërë të ditur që nuk zmbrapset nga vendimi i tyre , ndërkohë që do u përgjigjet thirrjes së komisionit për t’u përballur me ministrin Shyqyri Bytyqi para deputetëve.
Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Periskopin ka thënë se komisioni për Arsim duhet të kërkojë përgjigje nga MASHT, që sipas tij është mundur të krijojë mjegull në opinion dhe se ka shkelur ligjin për grevat.
‘’Ne kemi qëndrim unik. Këshilli drejtues ka vendosur që orët e humbura në grevë të mos kompensohen dhe na kanë autorizuar që t’i drejtohemi gjykatës. SBASHK i është drejtuar gjykatës me padinë-kërkesen kundër vendimit të MASHT për kompensimin e orëve. MASHT dhe të tjerët janë munduar të krijojnë mjegull në opinion sepse Gjykata na ka kthyer një letër ku thotë se pjesa e kërkesës për pezullim të vendimit të MASHT’it deri në seancën që mbahet në gjykatë lidhur me këtë cështje. Pavarësisht asaj që sjell gjykata, ne do të arsyetojmë vendimin e institucioneve të drejtësisë, të bindur se gjykata do të sjell vendim pro kërkesës sonë, ngase ne jemi bazuar në ligj kurse MASHT është ai që nuk është bazuar në ligj sepse ligji i grevave nuk obligon grevistët që të bëjnë kompensim të orëve apo ditëve të humbura në grevë’’, thotë Jasharaj për Periskopin.
Tutje, Jasharaj u ka bërë thirrje insititucioneve që të mësohen nga ky rast dhe mos ta detyrojnë SBASHK’un të shkojë në greva.
‘’Po të ishte ashtu, atëherë fuqia, vlera dhe arsyeja e grevës do të humbaste. Pse të mbahet grevë, kur institucionet do ta dinit se do të kompensoheshin orët. Është mirë që institucionet të mësohen nga ky rast dhe të mos na dërgojnë pastaj në greva tjera. Sa i takon orëve të humbura, vendosin vetë mësimdhënësit dhe ne jemi zëri i tyre’’, ka thënë Jasharaj.
Lidhur me thirrjen e Komisionit për Arsim që SBASHK dhe MASHT të përballen para deputetëve, kreu i SBASHK’ut tha se do shkojnë dhe të argumentojnë qëndrimin e tyre.
‘’Ne nuk i përgjigjemi komisionit parlamentar për Arsim. Ai që duhet t’i përgjigjet është ministri dhe ata duhet ta pyesin ministrin pse po ndodh kështu. Ne jemi të gatshëm që të ulemi para deputetëve të nderuar dhe të ofrojmë të gjitha argumentet tona që flasin se nuk jemi të obliguar të zëvendësojmë asnjë orë të humbur në grevë. Ne nuk i ikim përballjes pse i kemi argumentet tona. As ministri Bytyqi, as deputetët, as askush në këtë Kososvë nuk duhet të dalë mbi ligji. Ne po respektojmë ligjin mbi grevat’’, thotë tutje Jasharaj.
SBASHK para disa ditësh, zyrtarisht ka dalë kundër vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi , i cili ka kërkuar kompensimin e orëve të humbura mësimore gjatë grevës tre-javore të punëtorëve të arsimit.
Kjo sindikatë ka kërkuar që të mos zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës deri në aktgjykimin përfundimtarë të gjykatës përkatëse lidhur më ligjshmërinë e vendimit nr: 911 të datës 27.02.2019 për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës, të cilin e ka nxjerr ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Megjithatë, gjykata ua rrëzoi vetëm pjesën e kërkesës ku thuhet që vendimi i MASHT’it për kompensim të orëve të humbura të pezullohet deri në vendim të Gjykatës.
Në anën tjetër, MASHT para një jave ka marrë vendim që orët e humbura të grevës të zëvendësohen si në vijim:
– 5 (pesë) ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019;
– 5 (pesë) ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019;
– 5 (pesë) ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.
Greva e mësimdhënësve, e inicuar nga SBASHK ishte lidhur me pushimin dimëror të fund dhjetorit të 2018’ës dhe kishte vazhduar deri në shkurt të këtij viti. Pas një oferte të dytë nga kryeministri Ramush Haradinaj për rritje të koeficientit të pagave, mësimi kishte nisur në gjitha shkollat e Kosovës.