Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj, pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani, ka thënë se greva do të vazhdojë nëse qeveria nuk jep nga 100 euro në muaj deri kur të bëhet ligji i pagave.
“Qeveria duhet të ulet dhe të bisedojë me ne për realizimin e kërkesave tona, pra 100 euro çdo muaj deri kur të bëhet ligji i pagave”, ka thënë Jasharaj në konferencën për medie.
Ai tha se takimi me Osmanin ishte pozitiv dhe se asaj i kërkoi të ndikojë te qeveria që bashkërisht të ulen dhe të diskutojnë për të gjetur zgjidhje.
“Problemi deri këtu ka ardhur në mungesë të dialogut me Qeverinë e Kosovës. Ne e lutem presidenten që ta shfrytëzojë pozitivisht autoritetin e saj, të ndikojë që sot, që nesër të ulemi me përfaqësuesit e qeverisë ngase i thamë edhe asaj, pakoja me 50 euro nuk është realizim i kërkesave tona”.
Jasharaj tha se uron që shembullin e presidentes ta ndjekë edhe qeveria.
“E morëm mbështetjen për ligjin për skemat pensionale dhe me tërë forcat e saj do të angazhohet, që ta arrijnë të kenë pensionion e merituar të punës… Uroj që shembullin e presidentes ta marrin edhe kryeministri e ministrat që sot, që nesër të ulemi të bëjmë zgjidhje… 100 euro deri në ligjin për paga, ose greva do të vazhdojë”, ka thënë ai.
“Presidentja edhe në bazë të autorizimit, nuk e ka të merret drejtpërdrejt me kërkesat tona, por i kërkuam të fillojë me angazhimet dhe ta orientojë kërkesën nga pala tjetër, ne jemi për dialog dhe tash e sa muaj kemi pritur për dialog.. kërkuam nga ajo që t’i lusë e ti nxisë që të ulemi që të bëjmë zgjidhje”, shtoi ai.
Jasharaj tha se ia ka bërë me dije edhe presidentes që greva do të vazhdojë.
Ai theksoi se grevën e kanë filluar më 25 gusht vetëm e vetëm që qevria të ketë kohë për të gjetur zgjidhje.
“E kemi filluar grevën më 25 për t’i dhënë kohë qeverisë, por ajo nuk vazhdoi asnjë mililmeter dhe fajtori i vetëm është qeveria Kurti që nuk ulet me ne”.
Ndërkohë, takimet në lidhje me situatën e krijuar pas shpalljes së grevës së përgjithshme, Osmani po i vazhdon me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Në lidhje me takimet nuk ka pasur prononcim nga presidentja./Klankosova