Rrahman Jasharaj kyetar i SBASHK-ut, ka thënë për RTK se sindikata ka hedhur poshtë ofertën e kryeministrit Ramush Haradinaj për ngritjen e koeficientit prej 0.2 për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar dhe ka paralajmëruar vazhdimin e grevës në ditët e ardhshme.
Jashari thotë se kjo ofertë nuk i plotëson kërkesat e SBASHK-ut, aq më shumë pasi që nuk janë përfshirë punëtorët teknik, punëtorët administrativ si dhe i tërë sistemi universitar.
Ai në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK foli për takimin e mbrëmshëm që kishte kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrin e arsimit Shyqri Bytyqi.
Kryetari i SBASHK-ut tregoi se qeveria doli me një ofertë të cilën e ka bazuar në punën e bërë Komision Parlamentar për Administratë i cili, sipas tij, ka punuar një punë të fshehtë larg syrit të medieve dhe sindikatave.
“Ne morëm ofertën e kryeministrit dhe atë e shqyrtuam me këshillin drejtues të grevistëve, por në bazë të bisedës së mbrëmshme me veprimtarët sindikalë doli se ishte një ofertë mjaftë e ultë me atë që ne kërkojmë, që së paku 30 për qind në tërë sistemin arsimor”, tha Jashari.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se vendimet e disa komunave për rifillim të procesit mësimor të hënën nuk përfaqësojnë qëndrimin e mësimdhënësve.
Ai bëri me dije se për kërcënimet që mund të bëhen nga ana e institucioneve gjegjëse ndaj sindikalistëve do të njoftohen organizatat e huaja.