Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot mban konferencë për media për të njoftuar me ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.
Ndryshe sipas planit kjo është java e fundit e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, raporton RTKlive.
Procesi i regjistrimit të Popullsisë në Republikën e Kosovës ka filluar më 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj të këtij viti.
Zëdhënësja e Agjencisë së Statistikave, Hazbije Qeriqi, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë deri tani ka shkuar mirë, me pak sfida që ASK ka pasur gjatë punës në terren.
“Të hënën do të dalim me shifrat e reja. Por, referuar të dhënëve të fundit që kemi nxjerrë, janë mbi 1 milionë e 300 mijë qytetarë që janë regjistruar si popullsi rezidente dhe afërsisht 400 mijë të regjistruar në platformën elektronike e-diaspora”, tha ajo.
Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.
Konferenca mbahet më 13 maj 2024 në ambientet e ASK-së, duke filluar prej orës 10:00.