Java e katërt e qershorit (22-29 qershor) në Ballkanin Perëndimor rëndoi dramatikisht bilancin e pandemisë pasi regjistroi mbi 100 viktima dhe rreth 4,700 raste të reja me COVID-19. Prirja më e rëndë e infeksionit që prej shfaqjes së tij në rajon në fillim të muajit mars.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria regjistruan tjetër rekord për sa i përket vdekjeve dhe të infektuarve – mbi 1 mijë të infektuar e 51 viktima këtë javë në RMV dhe 471 të infektuar e 14 viktima në Shqipëri.
Prirje në rritje me raste të reja u shfaq këtë javë edhe në Kroaci, ndërsa autoritetet në Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi janë shqetësuar nga pothuajse dyfishimi i rasteve me të infektuar ditorë.
Në 7 shtetet e rajonit totali i pandemisë bën fjalë për rreth 1 mijë të vdekur dhe mbi 33 mijë të infektuar.
Të infektuarit
Bilancit rajonal të pandemisë iu shtuan javën që lamë pas edhe 4,688 të infektuar të tjerë me një prirje në rritje rreth 1,600 – ose sa katërfishi i prirjes që kishte fundi i muajit maj (25 maj – 1 qershor).
Shumica e rasteve të reja me infeksion këtë javë ishin në Serbi (1,298 raste, dyfishi i një jave më parë) dhe Maqedoni të Veriut (1,013 raste), ndërsa situata është bërë shqetësuese në Bonsje e Hercegovinë (800 raste, dyfishi i një jave më parë) dhe Mal të Zi (134 raste, trefishi i një jave më parë).
Rritja e rasteve në Serbi mund të ketë lidhje me faktin se më 21 qershor Beogradi zhvilloi zgjedhjet parlamentare, duke nxitur kështu edhe grumbullime njerëzish.
Tashmë prej dy javësh Podgorica zyrtare është rikthyer nën pandemi me ekspertët të cilët ia kanë faturuar rastet e reja hapjes së kufijve dhe lëvizjeve për turizëm.
Gjithashtu serioze paraqitet prirja edhe në Kosovë. Prishtina zyrtare raportoi 583 të infektuar javën që lamë pas, diçka më pak se java paraardhëse, por shqetësuese bëhet fakti se me një popullsi prej diçka më pak se 1.8 milionë banorë, Kosova ka lënë pas Kroacinë për numrin e të infektuarve, edhe pse kjo e fundit ka popullsi rreth dyfish më të madhe.
Ndërkohë në Shqipëri qershori rezultoi përfundimisht muaji me bilancin më të rëndë të pandemisë. Sipas statistikave në muajin qershor u infektuan më shumë persona me COVID-19 se sa në 3 muajt e shkuar mbledhur bashkë – qershori pati rreth 1,350 raste, ndërsa periudha mars-maj 1,137 të infektuar.
Në total: Serbia ka 14,288 të infektuar, RMV 6,209; Bosnje e Hercegovina 4,325; Kosova 2,799; Kroacia 2,725; Shqipëria 2,466; Mali i Zi 501, shkruan euronews.
Viktimat
Për të pestën javë radhazi RMV ishte vendi që vuajti më tepër viktima në rajon me një tjetër rekord vdekjesh në radhët e pacientëve me COVID-19, 51 (pesë më shumë se një javë më parë).
Megjithëse situata është dramatike, Shkupi zyrtar vazhdon fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut.
Me 298 viktima në total, RMV është tashmë zyrtarisht vendi me më shumë viktima në rajon, duke lënë pas edhe Serbinë.
Vala e re e infeksionit, e nisur javën e dytë të qershorit, ka rënduar drastikisht bilancin e RMV-së, nga nën 70 vdekje për 1 milionë banorë, raport që kishte në fund të muajit maj, tashmë kjo shifër është dyfishuar dhe ka shkuar në 143 vdekje për çdo 1 milionë banorë.
Njësoj dramatike java ishte edhe në Shqipëri e Kosovë ku si asnjëherë më parë, pothuajse çdo ditë, pati nga dy viktima (14 vdekje në Shqipëri, 12 në Kosovë).
Pas më shumë se një muaji pa viktima, Mali i Zi regjistroi 2 vdekje mes pacientëve me COVID-19 këtë javë duke u rikthyer sërish te situata që kishte përpara “daljes nga pandemia”.