Nga e mërkura e deri të premten të kësaj jave, shtatë prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, kanë mbajtur procesin zgjedhor për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Pjesë e kësaj gare zgjedhore për shtatë vende të KPK ishin 17 prokurorë.
Nga 164 votat e prokurorëve që kanë votuar, besimin për tu bërë anëtarë i KPK-së e kanë fituar prokurorët Jehona Makolli-Grantolli, Ariana Shajkovci, Jetish Maloku, Naim Beka, Armend Zenelaj, Veton Shabanaj dhe Ardian Hajdaraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga 15 prokurorët që votuan në Prokurorinë Themelore në Gjilan, 14 nga ta ishin për kryeprokurorin Jetish Maloku, ndërsa për kundër kandidaten e tij Leonora Kadriu ishte vetëm një votë.
Shpallja e zgjedhjeve për anëtarë të KPK-së nga radhët e prokurorive themelore është bërë nga KPK më 8 tetor 2020, në të cilën ditë edhe është miratuar Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Sipas ligjit dhe rregulloreve të KPK-së, ky konkurs është dashur të shpallet më së largu deri më 1 tetor 2020, për shkak se mandati i anëtarëve aktual të KPK-së nga radhët e prokurorive themelore përfundon më 1 janar 2021.