Jetmir Salihu, menaxher i klubit të futbollit Drita, është shpallur Punëtori i Vitit nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Departamenti i Sportit, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të vazhdueshëm, profesionalizmin dhe përkushtimin në zhvillimin e sportit.
Salihu është pjesë e strukturës drejtuese të FC Drita, njërit prej klubeve më të suksesshme në Kosovë, ku ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në menaxhimin dhe funksionimin e klubit. Rruga e tij drejt këtij pozicioni ka nisur herët, me një angazhim të sinqertë dhe pasion për futbollin, që e ka dalluar qysh në moshë të re.
I lindur në vitin 1991 në Gjilan, Jetmir Salihu ka përfunduar shkollimin fillor në shkollën “Musa Zajmi”, ndërsa shkollën e mesme dhe Fakultetin Juridik në Gjilan, ku ka diplomuar në vitin 2015. Edhe pse formimi i tij akademik është juridik, pasioni për sportin e ka orientuar drejt një karriere në futboll.
Që në moshën 16-vjeçare, Salihu kishte vërejtur aftësinë për të identifikuar talentë të rinj, duke u fokusuar jo në karrierën personale si futbollist, por në krijimin e mundësive për të tjerët. Kjo qasje e hershme e ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit të tij profesional.
Nga një email i dërguar Federatës Shqiptare të Futbollit, deri te roli aktual si menaxher i FC Drita, angazhimi i tij është karakterizuar nga përkushtimi, korrektësia dhe vizioni për zhvillimin e futbollit. Ai shpesh thekson se dhënia e mundësisë të rinjve për t’u dëshmuar është hapi i parë drejt realizimit të ëndrrave të tyre.
Vlerësimi nga Komuna e Gjilanit përbën një mirënjohje institucionale për punën dhe kontributin e Jetmir Salihut, duke e renditur atë ndër figurat që po ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e sportit në nivel lokal dhe më gjerë./Radio Star/

