Gani Neziri shkruan:
Jo, nuk pajtohem kollaj me vdekjen tënde i nderuar tanimë ish shoku im!
Ishte i hidhur dhe pikëllues lajmi kur mbrëmë në orët e vona të natës më thërret një shok dhe më shpreh ngushëllime për shokun tim të shkollës, të punës e të idealeve kombëtare e shtetformuese. Mbeta i shtangur për pak çaste derisa morra frymë thellë nga gjoksi i shtrënguar.
Ishte e papranueshme për mua kjo që dëgjova por, u desh që të nënshtrohem para lajmit pikëllues duke ulur kokën dhe shtrënguar me dy duart.
Pas pak kohe thash me vete: “Zoti paska thënë kështu dhe u dorëzova”. Kthim mbrapa nuk ka. Lamtumirë shoku im!
-//-
Menjëherë fillova të rikthej në kujtesën time kujtimet e kohës që shkoi.
U njoha me Të në vitin 1973 në ditët e para të fillimvitit shkollor ’73/74 kur unë regjistrohesha në vitin e parë të shkollës së mesme teknike në Gjakovë, drejtimi Gjeodezisë. Ai ishte aty para meje prej tre vjetësh. Hiq nuk pritonte të na ndihmonte ne të rinjve që veçsa kishim shkuar. Bashkë me Të ndjeheshim më të sigurt.
Më kujtohet kur pikërisht atë vit bëhej një përpjekje nga organet qeveritare serbe për të mbyllur Shkollën tonë, respektivisht, drejtimin për Gjeodezi, me arsyetimin zyrtar se ky drejtim ishte në Shkup, Titograd dhe Beograd ku kosovarët mund të mësonin në gjuhën serbe .
Shoku ynë, tani më i ndjerë, na jepte kurajo se kjo nuk mund të ndodhë në asnjë mënyrë sepse do të rezistonin deri në fund profesorët tanë, Sadiku, Kamberi, Xhaviti, Elezliu, Gazmendi, etj. të cilët ne ende nuk i njihnim.
Për dijeninë e lexuesve po shtoj se hapja e Shkollës së mesme të Gjeodezisë në Gjakovë në vitin 1968 ishte krejt njësoj sikur hapja e Akademisë Ushtarake të Kosovës në kohën e sotme. Është ky mendim i Mahmut Bajramit që unë e përceptoj si mendim të saktë.
-///-
Ato vite, gjeodetët shqiptarë ishin strukturë deficitare, kështu që menjëherë pas kryerjes së maturës në vitin 1974 në moshë krejt të njomë punësohet në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër.
Që në ditët e para, menjëherë pas gëzimit se ishte punësuar fillon një zhgënjim në karakterin e tij se të gjitha dokumentat kadastrale ishin të shkruara në gjuhën serbe. Madje, i shtohet irritimi edhe kur kuptoi se asnjëri nga punëtorët shqiptarë që punonin para Tij nuk përpiqej të ndërmerrte një hap rreziku për përmirësimin e administrimit në gjuhën shqipe. Madje, edhe në mesin e dhjetë shqiptarëve po të ishte një koleg serb, të gjithë komunikonin në gjuhën serbe?!
Një ditë prej ditësh, vendosë që këtë nismë patriotike me përcjellje rreziku ta bënte vetë Ai i pari. Pas kthimit nga terreni ku kishte bërë një matje trolli në qytet përgadit dokumentin e parë në gjuhën shqipe “Manual gjeodezik” dhe i’a dorëzon mbikëqyrësit të vetë Tomë Mihajlloviqi.
Mbikëqyrësi serb duke dashur të bëjë korrigjimin profesional të punës së gjeodetit të ri, Mahmutit, “nuk kupton asgjë” nga ajo që përpiqej të lexonte, sepse, dokumenti që kishte në dorë për herë të parë ishte shkruar në gjuhën shqipe. Bëhet nervoz, i çohen krejt flokët përpjetë, kapë kokën me duar dhe bërtet “Shta je to napisano na përlavi jezik”. “Pa ajde sada da pishemo i na ciganski”, shpërthen Mihajloviqi. Me nervozë të egër e përplasë manualin dhe kërkon nga drejtori i Kadastrës Ismet Halili që gjeodeti i ri të përsëris punën dhe ta përgatis në gjuhën serbe.
Përkundrazi, ndodh ajo çfarë nuk kishte pritur as Mihajloviqi dhe as Mahmuti; drejtor Ismeti i pranon dokumentin në gjuhën shqipe duke e porositur Mahmutin, shokun tim që edhe të tjerat t’i punoj kështu si e ka nisur.
Pra, është mirë që gjeneratat e reja ta dijnë këtë fakt se shkrimi shqip në Kadastër fillon me agjën Mahmut Bajrami. Madje, është detyrim historik të evidentohen ngjarjet e rralla që ndërrojnë histori.
-IV-
Tani, edhe kësaj historie i erdhi fundi. Axha Mahmut ndërroi jetë. U nis për në botën e përtejme duke lënë faktin historik se Ai ekzistonte dikur. Bëftë dritë shpirti i Tij duke u vënë nën kujdesin e krijuesit të gjithsisë, ZOTIT tonë fuqiplotë e të mëshirshëm.
-V-
Shpreh ngushëllimet e mija për familjen e Tij; bashkëshorten, djemtë me nuset e tyre dhe nipërit e mbesat.
Ngushëllime për bashkëpunëtorët e tij në drejtorinë kadastrale! Ngushëllime për të gjithë kolegët gjeodet anë e kënd Kosovës dhe gjithë qytetarët e tjerë që ndjejnë dhimbje për Të.
Lamtumirë shoku im!