Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha do të përgjigjen nëse presidenti rus Vladimir Putin përdor armë të shkatërrimit në masë.
Ai në një konferencë për media u pyet “Pra, ju keni paralajmëruar për kërcënimin e vërtetë të përdorimit të armëve kimike. A keni mbledhur inteligjencë specifike që sugjeron se presidenti Putin po i vendos këto armë, po i vendos ato në pozicione apo po shqyrton përdorimin e tyre? Dhe a do të përgjigjeshin SHBA ose NATO me veprime ushtarake nëse përdorë armë kimike?”
Biden u përgjigj se ai nuk mund të jepte informacion mbi inteligjencën, por shtoi për çështjen e armëve kimike.
“Ne do të përgjigjemi nëse ai i përdorë ato. Natyra e përgjigjes do të varet nga natyra e përdorimit“, shkruan CNN, transmeton Gazeta Sinjali.
Sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca do të përforcojë sistemet e saj të mbrojtjes kimike, biologjike dhe bërthamore nga frika se Rusia po planifikon të përdorë armë të tilla kundër popullit të Ukrainës.