Edward Joseph, ligjërues në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në “Johns Hopkins” në Uashington, derisa ka komentuar rreth analogjisë së paqenë Kosovë – Krime të ngulitur tashmë në mënyrën propagandistike të të menduarit të zyrtarëve rusë dhe serbë, ka thënë se kjo do të ndryshojë kur të konkretizohet rruga euroatlantike e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, akuzoi bashkësinë perëndimore për mbështetjen e luftës çlirimtare të Kosovës dhe mosnjohjen e “referendumit” në rajonin e Krimesë në vitin 2014. E këtë analogji rrënjësisht të ndryshme e mbësheti edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili gjithashtu përmendi “precedentin” e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Serbia këmbëngul se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) është i zbrazët sepse Kosovës nuk i adresohet shtetësia; megjithatë Serbia refuzon ta avancojë këtë sfidë në gjykatë. Pse? Pikërisht sepse të gjitha faktet – përfshirë suprimimin e njëanshëm të autonomisë së Kosovës pasuar nga një dekadë represioni serb – do të dilnin në dritë”, ka kujtuar Joseph.
“Pikërisht këto janë faktet që i dallojnë rastet e Kosovës dhe Krimesë – që dekonstruktojnë pretendimin ruso-serb për një ‘precedent të Kosovës’ dhe ‘standard të dyfishtë perëndimor’. Në realitet, vërejtja e Vuçiçit – dhe izolimi obsesiv i Kosovës – është pohim i cenueshmërisë. Kur Kosova të ketë një rrugë të qartë drejt NATO-s, ndryshon krejt llogaritja strategjike e Serbisë”.
Rusia ka mbështetur Serbinë gjatë viteve 1990 edhe përkundër faktit që shteti serb ka nisur disa luftëra në rajon, përfshirë edhe luftën e fundit në Kosovë. Joseph ka argumentuar mes tjerash se mbështetja ruse dhe kineze për Serbinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) bëhet “efektivisht e pakuptimtë” kur do të konkretizohet rruga euroatlantike e Kosovës.
“Ukraina e ka çelësin – duke njohur Kosovën… Rruga e Kosovës drejt NATO-s – duke i dhënë fund ngecjes që i mban peng të dyja vendet – do t’i hapte rrugën Serbisë për të kërkuar vendin e saj në aleancë. Asgjë s’do të ndryshojë në Ballkanin Perëndimor derisa Serbia të ndryshojë rrënjësisht orientimin strategjik – përmes zgjidhjes përfundimtare të nyjes së Kosovës”.
Ndryshe, ndërhyrja humanitare dhe ushtarake e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërjmet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë që vazhdon sot e kësaj dite. Megjithatë, pavarësisht rezistencës nga Serbia, Rusia e Kina, shqiptarët e Kosovës fituan njohjen nga të gjitha fuqitë perëndimore dhe nga një dyzinë vendesh të tjera.