Profesori amerikan, Edward P. Joseph i ka kushtuar një shkrim të gjatë situatës së krijuar së fundi në Kosovë, nga tensionet e deri te paralajmërimet për sanksione ndaj Qeverisë Kurti. Opinionin të cilin mund ta gjeni në “Foreign Policy”, ai e ka titulluar “SHBA-ja po krijon një krizë në Kosovë”.
Fillimisht, Joseph ka kritika për Kurtin, edhe për Vuçiqin, por edhe për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai përmend refuzimin e Kurtit që t’i dëgjojë kërkesat e aleatëve, “përshëndetjet” e këtyre ndaj Vuçiqit, si dhe paralajmërimet për sanksione.
“Në vend që ta shikojnë autonominë në mënyrë strategjike – siç do ta bënte Zelensky, dhe siç bën presidenti rus Vladimir Putin – zyrtarët e administratës së Biden janë po aq dogmatikë sa kryeministri i Kosovës që ka tërhequr zemërimin e Perëndimit.” – thuhet në fillim të opinionit.
Sanksionet
Në shkrimin e tij, ai flet për sanksionet, ku mes rreshtash, operacionin e policisë së Kosovës në veri e quan “të pamatur”.
“E frustruar me kryeministrin e Kosovës për dështimin në paraqitjen e kushteve të tij për themelimin e Asociacionit, dhe e zemëruar me operacionin e tij të fundit, të pamatur të policisë speciale në veriun e mbizotëruar nga serbët e Kosovës, administrata e Biden tashmë e ka ndëshkuar Kosovën dhe është gati të shkaktojë më shumë dhimbje.” – thotë profesori amerikan.
Tutje, përmendet refuzimi i kryeministrit Kurti për t’i dëgjuar kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, derisa përmendet edhe plani pesë pikësh të cilin e preantoi sot.
“Duke u larguar nga presioni, Kurti deri më tani ka refuzuar kërkesat e ShBA-së dhe BE-së për të tërhequr njësinë special nga veriu, për t’i larguar kryetarët nga komunat veriore dhe për të ecur drejt zgjedhjeve të reja. Kurti insiston se janë serbët ata që sulmuan NATO-n dhe Policinë e Kosovës më 29 maj, dhe duhet të sillen para drejtësisë, si pjesë e planit pesë pikësh të kryeministrit për të ulur tensionet. Për të shamngur një tjetër bojkot të zgjedhjeve nga serbët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përkrah fuqishëm qasjen e Kurtit, ka propozuar që të paktën 20 për qind të votuesve të nënshkruajnë një peticion.” – shkruan tutje.
Aleati i nervozuar
Veprimet e kryeministrit Kurti e kanë nervozuar ShBA-në, dhe sipas Joseph, dëshira e Uashingtonit për të vendosur sanskione është “e kuptueshme”.
“Me mbrojtjen e tij, Kurti ka nervozuar ShBA-të, aleatin më të rëndësishëm të Kosovës, armiqësoi popullatën serbe në Kosovë, dhe ka nxitur presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ashtu si autocrat që përballet me protesta të pashembullta të brendshme. Dëshira e Uashingtonit për të vendosur sanksione ndaj Kosovës është e kuptueshme.”– ka thënë ai.
Por dëshira për sanksione, sipas tij është edhe një “gabim serioz”, duke fajësuar këtu edhe perëndimorët për krejt situatën e krijuar.
“Është po ashtu një gabim serioz. Washingtoni dhe Brukseli ndajnë fajin për krizën, duke përfshirë edhe dhunën e serbëve ndaj trupave paqeruajtese të NATO-s. Absurditeti i sanksionimit të një aleati demokrat në Prishtinë, e mbështetja e një autokrati pro-rus e manipulues si “partner më i mirë”, siç tha ambasadori Hill, duhet t’i jap një pauzë sekretarit Antony Blinken.” – ka thënë ai.
Edward Joseph, tutje ka kritikuar ShBA-në edhe BE-në edhe rreth takimit të Ohrit, ku Vuçiq nuk premtoi se serbët do të rikthehen në institucione dhe do të dalin në zgjedhje:
“Nuk ka dyshim që Kurti, duke injoruar qartë kërkesat e koordinuara të ShBA-së dhe NATO-s, është një aksesor për dhunë. Fatkeqësisht, ashtu janë edhe emisarët e BE-së dhe ShBA-së, të udhëhequr nga kryediplomati evropian, Josep Borell. Në mars, ShBA-ja dhe BE-ja lejuan Vuçiqin që të largohet nga Ohri, ku u mbajtën negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, pa një përkushtim që serbët të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet për kryetar”.
Sjellja e ShBA-së ndaj Prishtinës, duke e konsideruar “si armik”, nuk e zbut gjendjen, e as nuk sjellë stabilitet, thotë tutje profesori i njohur.
“Në përmbledhje, do të duhet më shumë se sa sanksione që të bëjnë të ndihesh mirë, për ShBA-në që të tërhiqen nga një krizë të cilën ShBA-ja dhe Brukseli ndihmuan ta krijojnë. Duke pretenduar se ShBA-të janë një partner ndërkombëtar, e një armik në Prishtinë, as nuk do të zbusë gjendjen në veri, e as nuk do të sjellë në stabilitet.” – ka shkruar ai në opinionin e publikuar.
Çka duhet të bëjë Blinken?
Krejt në fund, Joseph ka disa këshilla për sekretarin amerikan, Antony Blinken, për të cilin thotë se duhet ta marrë kontrollin e politikës amerikane në Ballkan.
“Për fillim, administrata Biden duhet t’i “disiplinojë” ambasadorët e saj në rajon, duke “shkurtuar” eskursionet e Hill në politikat e një vendi, Kosovës, që nuk është më pjesë e Serbisë.” – këshillon ai.
Blinken, sipas tij, duhet të tregojë qartë si qëndron ShBA-ja në krejt këtë situatë, dhe se mesazhi, duhet t’u përcillet edhe liderëve të Ballkanit.
“Blinken duhet të japë një fjalim të konsideruar thellë në politikën e ShBA-së në Serbi, Kosovë dhe në të gjithë rajonit. Blinken duhet t’i rivendosë në qendër vlerat demokratike si bërthama e politikës së ShBA-së dhe partneritetit me Evropën. Ai duhet t’i drejtojë emisarët dhe ambasadorët e tij që t’ua japin këtë mesazh liderëve të Ballkanit, duke përfshirë Vuçiqit.”– tha ai.
Blinken, këshillohet që ta zhvillojë edhe një vizitë, por jo në rajon.
“Blinken duhet ta vijojë këtë me një vizitë, jo në rajon, por në Athinë, Bratisllavë, Bukuresht, Madrid, katër kryetqytetit që e mbajnë çelësin e avancimit të Kosovës…” – ka thënë Joseph.
Në fund të opinionit të tij, ai shkruan si vijon:
“Blinken duhet ta përmbyllë udhëtimin e tij në Bruksel, me Borellin dhe Lajçakut. Ai duhet t’ua rikujtojë këtyre diplomatëve se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mban emrin e BE-së.
Në këtë mënyrë, Blinken do ta kthejë ShBA-në dhe BE-në nga konfuzimi dhe kriza, në të dërguarit një sinjal te Moska të një vendoshmëria që Ballkani të konsolidohet brenda Perëndimit, bashkë me Ukrainën”.