Edward Joseph, ligjërues në Shkollën për Studime të Avancuara në “Johns Hopkins” në Uashington, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) duhet që “menjëherë” të ndryshojnë qëndrimin kundrejt Serbisë, derisa ka shtuar se edhe Bashkimi Evropian (BE) ka treguar “dobësi” në rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke thënë se edhe veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, janë problematike, njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor ka shtuar se SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i japin fund “përkrahjes” ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili pavarësisht thirrjeve të bashkësisë së organizuar perëndimore, nuk është larguar nga krahët e Rusisë dhe Kinës.
“Mesazhi im është shumë i qartë: dobësia sjell dobësinë, kështu që ne kemi qenë të dobët me Vuçiçin, edhe pse e dimë aleancën e tij të fortë me Rusinë dhe me Kinën… Kjo është gjendja. Kurti thotë ‘unë e shoh sa të dobët jeni duke u treguar’ dhe tregohet provokativ ndaj serbëve të Kosovës. Ky është një problem i madh”, ka thënë ai, transmeton Radio Televizioni Shqiptar (RTSH).
“SHBA duhet menjëherë të ndryshojë qëndrimin kundrejt Beogradit dhe pastaj mund të kemi një shans për Prishtinën. Momentalisht SHBA dhe BE janë duke e mbajtur fokusin tek Prishtina edhe pse ajo çfarë po bën Kurti është problematike, por nga ana tjetër liderët nuk janë duke bërë asgjë për Vuçiçin, ngase duan përkrahjen e Serbisë për Ukrainën”, ka shtuar Joseph.
Ndryshe, bashkësia e organizuar ndërkombëtare në krye me SHBA-të pothuajse vazhdimisht e ka qortuar ekzekutivin kosovar për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit, pavarësisht justifikimit të zyrtarëve institucionalë se lëvizjet e fundit janë në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit në veriun e banuar me serbë etnikë.