Juristi Valedet Hoxha ka thënë se trupi i pajetë i Faton Hajrizit, i cili është vrarë në Serbi, mund të kthehet në Kosovë brenda disa ditësh.
Ai ka thënë se Serbia do të detyrohet ta mbyllë këtë proces për shkak të ligjeve dhe presionit ndërkombëtar dhe të drejtës humanitare që ta kthejë trupin, gjithmonë sipas tij, nëse vërtetohet se bëhet fjalë për trupin e Faton Hajrizit
Hoxha ka thënë se Serbia do të mundohet që këtë proces të zvarritë sa më shumë që është e mundur.
“Po besoj që është çështje e disa ditëve, të mos them që pak më shumë se një javë do të duhej që të mbyllet ky proces. Serbia me skenaret e tyre të mirë menduara do të bëjë çmos, sikurse që kanë tentuar dhe po tentojnë ta shfrytëzojnë këtë rast, me barazua me rastin e pakrahasueshëm Banjska, por që është e pritshme që do të nxjerrin pengesa dhe do ta zvarritin derisa të reagojë faktori ndërkombëtar. Përveç detyrim ligjor është edhe detyrim ndërkombëtar kthimi në vendin e vet pavarësisht veprave apo akuzave”, ka thënë ai në Tëvë 1.
Policia e Serbisë pesë ditë më parë ka vrarë një person për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri më 18 korrik në Loznicë, e që dyshohet se ka qenë Faton Hajrizi.
Ministria e Jashtme e Kosovës të hënën ka thënë se sipas analizave të bërë nga gjurmët e gishtërinjve që ua ka dërguar Serbia del se personi i vrarë është Faton Hajrizi.