Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës akoma nuk e kanë konkretizuar marrëveshjen për qeverisje.
Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se në takimin e sontëm ka pasur përafrim, shkruan Reporteri.net.
“Pikërisht se i kemi shtruar të gjitah opsionet e mundshme dhe janë diskutuar shumë mënyra të mundshme, dhe pikërisht se kemi parë përafrim, ne kemi vendosur që të takohemi më shpesh.
Ne jemi marrë vesh për t’u takuar nesër. Krejt çka mund të them është se ka gatishmëri nga të dyja palët, sepse po të mos kishte nuk do të vendosnim për t’u takuar nesër”, ka thënë Konjufca.
Ndërkaq, dhe nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti, theksoi se ka avancim në bisedime dhe shtoi se takimet do të intensifikohen.
Ndërkohë, VV-ja akoma nuk e ka bërë “zemrën” guri për ta thënë publikisht se ka pranuar që posti i presidentit do t’i takojë LDK-së.
“Ne kemi folë për shumë pika sot, por nuk mund të përgjigjem në pyetjen tuaj, pasi do të vazhdojmë nesër”, ka thënë Konjufca ndër të tjera.
Ndryshe, Reporteri.net ka shkruar më herët se marrëveshja është arritur, mirëpo po bisedohet për detaje. Në këtë pikë po diskutohet edhe emri i presidentit të ardhshëm, pasi Albin Kurti e ka vendosur si kusht që emri të kalojë përmes Këshillin të Përgjithshëm të partisë së tij.