Komuna e Vitisë, Anamorava dhe shëndetësia kosovare, ka humbur mjekun e njohur, internistin dhe nefrologun, Dr. Feti Hetemi. I ndjeri nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen Covid-19. Ai prej disa ditësh po trajtohej në QKUK në Prishtinë.
Mjeku Feti Hetemi ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga rajoni i Anamoravës në vitet e 80-ta. Ai po në atë kohë kishte themeluar Qendrën e Hemodializës në Spitalin Rajonal në Gjilan.
Dr. Feti Hetemi kishte filluar punë për herë të parë në vitet 80-ta në QKMF në Viti (Shtëpinë e Shëndetit). Pas masave të dhunshme të okupatorit serb, i ndjeri sikurse të gjithë kolegët e tij përjashtohet nga puna, pasi nuk i nënshtrohej pushtetit të atëhershëm serb në funksion të shqiptarizimit të kësaj ambulante, në të cilën nuk pranoheshin kuadrot shqiptarë dhe diskriminoheshin në baza etnike nga pushteti i atëhershëm.
Dr. Fetiu ishte gardian i të drejtave të shqiptarëve në rajonin tonë. Ai nuk pushoi së kontribuuari për popullatën shqiptare. Së bashku me kolegët e tij themeluan Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë” në Viti, të cilën e udhëhoqi disa vite. Në kuadër të kësa shoqate u funksionalizuan ambulantat në Viti, Pozheran, Remnik, Stubëll etj, në shërbim të popullatës shqiptare, e të cilat për okupatorin serb ishin sistem paralel, dhe për të njëjtat Hetemi ishte thirrur dhjetëra herë në biseda të gjata informative nga policia serbe.
Hetemi ishte i angazhuar zyrtarisht me detyrë edhe në ZOK të UÇK-së, i cili gjatë luftës së vitit 1999 dha kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimin e ushtarëve të UÇK-së, të cilët fal angazhimit të tij, sot gëzojnë shëndet të plotë. Dr. Feti Hetemi në rajonin e Anamoravës përveç që njihet si mjek që ka shëruar mijëra pacientë, ai ka pasur virtyte të larta humane dhe kombëtare, duke mbrojtur vazhdimisht kauzën kombëtare. Regjioni i Anamoravës sot ka humbur një mjek specialist të zemrës dhe veshkave. Zemra e tij pushoi së rrahuri, sot në mëngjes, në moshën 66 vjeçare.