Ka ndërruar jetë profesori universitar dr. Kemajl Kurteshi. Këtë e kanë bërë të ditur familjarë të të ndjerit.
Djali i axhës së tij, profesori Naim Kurteshi, në një postim të tijin në faqen facebook ka shkruar:
Lamtumirë djalë i axhës, Kemajl Kurteshi!Të pata si vëlla dhe ashtu më pate. U rritëm bashkë në një shtëpi. Bashkë ndamë të mirë e të keqen. Edhe në shkollë ishim bashkë, në një bankë, me një palë libra. Nuk ditëm ta hidhërojmë njëri-tjetrin. Ishe nxënës solid e studenti më i mirë, sa nuk ka më. Nga bursat që more, më ndihmoje edhe mua,…
Ishe njeri humanitar, se zemra ta jepte, ndihmoje plot njerëz, edhe ata që nuk i njihje.
I dashur për familje shumë. Unë shpesh të jepja epitetin filozof, sepse i dije gjithë gjërat.
Unë ende nuk po mund të besoj që më nuk je në mesin tonë.
Nuk po dua ta besoj një gjë të tillë, sepse shkove pa u përshëndetur me ne.
Edhe shtëpitë i ndërtuam afër, në trojet e prindërve tanë. Nuk kishte ditë që nuk shiheshim. I bisedonim hallet bashkë.
Fjalët janë të pakta për t’i shkruar të gjitha gjërat për ty.
Pas vete le një familje të mrekullueshme, edhe nipat e vegjël, që të deshën aq shumë.
Asnjëherë nuk do t’i heq nga mendja kujtimet tona të përbashkëta e të mira që i përjetuam.
Kurrsesi nuk po mundem ta pranoj vdekjen tuaj. Tamam u rehatuam me shtëpitë tona, në lagjen më të bukur të qytetit- Lagjen e kullajve.
Lamtumirë vëlla, se të kisha djalë të axhës, por ishim si vëllezër me gjashtë muaj diferencë. Edhe pse isha para teje, kisha dëshirë të të respektoja dhe të jepja përparësi.
Pusho i qetë në tokën e kësaj Kosove që e deshe aq shumë, por më të përparuar!
Gjithmonë je në zemrat tona.
Lamtumirë!