Mesditën e së dielës ndodhi një rast i rëndë në një market në kryeqytet pasi 46 vjeçari Feim Berisha rrahu brutalisht një grua 41 vjeçare pas një fjalosjeje rreth karrocave.
Këtë ngjarje e ka parë edhe një qytetar i pranishëm, i cili ka treguar se Berisha donte të përleshej edhe me një qytetar tjetër, shkruan Jepi Zë.
“Aty kam qenë. I kam nda, dojke me u kapë me një djalë të ri, sepse ai djali reagoi në afekt kur e pa çka i bërë asaj gruas aty”, ka deklaruar ai.
Qytetari tregoi se gruaja e sulmuar ishte krejt e gjakosur pas sulmit brutal e të turpshëm ndaj saj.
“Shumë, tepër, në ballë i ka pasur dy asi si mallunga që i themi ne, edhe krejt e gjakosur. Mandej i ka ndihmuar stafi i marketit. Paraprakisht nuk kam dëgjuar asgjë, vetëm kur ka filluar të bërtasë ajo gruaja. Sepse askush nuk e ka ditur çka është duke ndodhur. Ai gjithë kohën i ka ofenduar të gjithë ata që kanë reaguar kundër tij”, ka deklaruar qytetari
Feim Berisha u akuzua nga Prokuroria për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” e pastaj rasti u ricilësua nën veprën penale “Sulmi”, për të cilën parashihet dënimi me gjobë ose ai nga 6 muaj deri në 3 vjet, varësisht nga rrethanat e kryerjes së veprës.