Asociacioni i komunave të Kosovës po dëshmon që nuk përfaqëson interesat e komunave duke vepruar jashtë mandatit të tij
Javën e kaluar, më 31 mars, është mbajtur kuvendi zgjedhor i Asociacionit, ku është zgjedhur bordi dhe kryetari i ri. Gjithçka ishte sinkronizimi që kishin bërë subjekti i LDK-së, PDK-së, dhe AAK-së për të bartur stafetën në një emër të ri por me qëllim të vjetër e të përbashkët.
Procesi i votimit ishte farëz. Askush nga pjesëmarrësit nuk e di se sa vota ishin pro, kundër apo edhe abstenim. Nga ngutija harruan të pyesin nëse dikush abstenon në procesin e votimit.
Bordi drejtues dhe drejtori ekzekutiv nuk ishin as transparent. Na ishte dërguar rendi i ditës, por nuk na ishin dërguar të gjitha materialet. Plani për buxhetin për vitin 2022, që nuk na ishte dërguar, në vlerë prej 1 milionë euro, na ishte paraqitur në një fletë të vetme dhe vetëm shifra të rrumbullaksuara, ndërsa shqyrtimi i pasqyrave financiare për vitin 2021 nuk ishte në rend të ditës, por kaloi madje duke mohuar edhe diskutimin.
Është me rëndësi të theksojmë se pagesat e anëtarësisë së komunave nuk mbulojnë shpenzimet e pagave. Të hyrat nga anëtarësia e komunave për vitin 2020 ishin 173,840 € ndërsa shpenzimet e personelit 202,950€. Për vitin 2021 të hyrat nga anëtarësia ishin 238,722€, ndërsa pagesat e personelit 221,637€. Është një nga pak arsyet që kontrabanduan procesin e votimit dhe mohuan diskutimin mbi raportin. Shpenzimet ishin rritur për 19% ndërsa të hyrat vetëm për 0,6%.
Sazan Ibrahimi si drejtor ekzekutiv i këtij bordi nuk përfaqëson asnjë interes të mirëfilltë të komunave anëtare. Ai iu shërben shkëlqyeshëm agjendave partiake. Ky drejtor, së bashku me bordin drejtues po e humb kredibilitetin e Asociacionit, duke krijuar kështu një mision të ri, atë të ‘opozitës’ ndaj qeverisë aktuale.
Si rezultat i kësaj, në komunikimin më poshtë mund ta shihni si marrin vendime këto subjekte politike, në rrjete sociale, pa asnjë dakordim që të godasin Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Kjo është tragjikomedi.