Kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, ka nisur mobilizimin e mërgatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Që nga dita e djeshme, Rahimaj, së bashku me kryetarin dhe drejtorët Blerimin e Afrimin, si dhe aktivistët Artonin dhe Bujarin, po qëndrojnë në Zvicër, ku po zhvillojnë takime me komunitetin e mërgatës.
Sipas tij, këto takime po zhvillohen me qëllim të diskutimit për qeverisjen e mirë të Lëvizjes në nivel lokal dhe për të siguruar angazhim të gjerë të diasporës në zgjedhjet e ardhshme.
“Dje patëm kënaqësinë të takojmë aktivistët tanë në Winterthur, ndërsa sot do të takojmë bashkëvendësit nga Topanica, si dhe në mbrëmje mërgimtarët nga Koretini. Diaspora po mobilizohet si asnjëherë më parë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit – sepse qeverisja e mirë e Lëvizjes duhet dhe do të vazhdojë”, ka deklaruar Rahimaj.
Mobilizimi i mërgatës konsiderohet një faktor vendimtar për suksesin e subjekteve politike në zgjedhjet lokale, pasi pjesëmarrja e diasporës në vendimmarrje shihet si element i rëndësishëm për zhvillimin komunal.