Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se ka takuar sipërmarrësin e njohur me origjinë nga Gjilani, Fahrettin Gülener, i cili ka ndërtuar një sukses të rëndësishëm në fushën e industrisë në Turqi.
Rahimaj ka treguar se Gülener është djali i Vehbi Sirixhanit, një mjeshtër i njohur i shportave në Gjilan, ndërsa rrugëtimi i tij nga një punishte e vogël e shporetave në Gjilan deri te drejtimi i një grupi të madh industrial në Bursa është cilësuar si një histori frymëzuese e punës dhe sipërmarrjes.
Përmes kompanisë ERMETAL GROUP, Gülener udhëheq sot gjashtë fabrika, ku janë të punësuar mbi 1,500 persona.
Përveç aktivitetit industrial, ai është i angazhuar edhe në zhvillimin e arsimit profesional. Gülener ka themeluar dhe drejton dy shkolla profesionale, të cilat kanë aftësuar qindra punëtorë dhe operatorë të makinerive për nevojat e industrisë në Bursa dhe më gjerë.
Kontributi i tij është shtrirë edhe te të rinjtë nga Kosova. Përmes programeve të trajnimit në Turqi, gjashtë grupe të rinjsh nga Kosova kanë pasur mundësi të aftësohen profesionalisht.
Sipas Rahimajt, Gülener është gjithashtu donator i projekteve të ndryshme në Kosovë dhe një veprimtar i përkushtuar i çështjes shqiptare në Bursa.
“Është jashtëzakonisht frymëzuese të shohësh se si trashëgimia e një mjeshtri tradicional u transformua me punë, zell e dinjitet në një industri moderne”, ka shkruar Rahimaj, duke e vlerësuar Gülenerin si shembull të suksesit, solidaritetit dhe lidhjes së pandërprerë me vendlindjen.










