Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës në Gjilan, duke mbrojtur qeverisjen e Alban Hysenit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në një shkrim të tij, Rahimaj thekson se opozita, e udhëhequr nga LDK, PDK dhe AAK, po përpiqet të shfajësojë keqqeverisjen e kaluar duke sulmuar qeverisjen aktuale.
Sipas tij, opozita, që kishte qeverisur për më shumë se një dekadë, ka lënë Gjilanin të zhytur në stagnim ekonomik dhe shoqëror, ndërsa Hyseni ka arritur të ndalojë regresin dhe keqmenaxhimin që kishte kapluar qytetin.
Shkrimi i plotë:
Monologje konferenciale të opozitës gjilanase
Ka kohë që opozita në Gjilan e prirë nga LDK, PDK dhe AAK, tenton të shfajësojë veten nga keqqeverisja e gjatë, duke akuzuar qeverisjen aktuale të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në krye me Alban Hysenin.
Në aspektin moral, por edhe politik, nuk mund të pretendohet që një humbës të tregojë se si gjërat mund të bëhen më mirë. Përkundër kësaj që aty ishte më shumë se një dekadë, dhe se Gjilani si qytet kryesor i Anamoravës, nën qeverisjen e tyre ka humbur shance në zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror.
Monologjet javore u panë edhe sot gjatë gjithë ditës. Sepse Kryetari Alban Hyseni, me një konferencë të vetme arriti t’i ‘mobilizojë’ opozitarët mëkatar, madje edhe në struktura deri tek niveli ku kishin dalur edhe kryesitë në konferenca, thua ti se na qenka njëmend diçka e jashtëzakonshme.
Po, e jashtëzakonshme është qeverisja aktuale e cila suksesin më të madh e ka në ndalimin e keqmenaxhimit, keqpërdorimit dhe regresit ekonomik.
Opozitarët nuk duhet t’i kenë frikën Kryetarit aktual. Le të ballafaqohen me të në kuvend apo edhe në debate politike. Ama përgatituni, sepse mandej bëhet kapërcim i rrëfimeve pa kontekst.