Përfaqësuesi i koalicionit AAK-PSD për zgjedhjet e 6 tetorit, Rexhep Kadriu, në emisionin “Debat” në RTK 1, ku po debatohet për infrastrukturën, ka thënë se gjatë qeverisjes në mandatin dyvjeçar e kanë gjetur vendin me një gjendje jo të mirë të infrastrukturës rrugore.
“E kemi gjetur gjendjen me obligime të mëdha, me mbi 30 milionë euro borxhe. Kemi gjetur projekte që kanë qëndruar në sirtarë të ministrisë së infrastrukturës për tri vjet, sado që ne kemi paguar taksa”, ka thënë Kadriu.
Sipas tij me ardhjen e AAK-së në pushtet dhe nën udhëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj gjërat në këtë segment janë përmirësuar dukshëm.
“Për herë të parë investuam në rajonin e Dukagjinit dhe të Anamoravës, por pa i nënçmuar nevojat e rajoneve tjera të Kosovës. Buxheti i Kosovës në lartësi prej 8 për qind shkon në infrastrukturë. Gjatë kohës së qeverisjes sonë në vend që ai të rritet, buxheti u zvogëlua për më shumë se 120 milionë euro”, ka shtuar Kadriu.
Sipas tij në të kaluarën projektet e infrastrukturës jo rrallëherë janë nisur në shpejtësi dhe zakonisht para fushatave elektorale.
Ai ka thënë se me hyrjen e AAK-së në qeverisje u arrit një lloj barazie në zhvillimin e infrastrukturës. “Dukagjini e Anamorava ishin lënë pas për shumë vite. Investimet nuk ishin të barabarta, disa rajone janë lënë anash. Tani situata ka ndryshuar. Ka pasur kritika nga tetë kompani vendore se puna po orientohet kah kompanitë ndërkombëtare, prandaj orientimi ynë duhet të jetë kah kompanitë vendore, duhet t’u besojmë atyre”, është shprehur Kadriu./rtklive/