Përderisa Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka rekomanduar anulimin e tenderit për autostradën Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, me vlerë 110 milionë euro, një gjë e tillë është refuzuar nga sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Ambientit, Betim Reçica, ministri kjo që dikur udhëhiqej nga Pal Lekaj. Madje sekretari Reçica ka shkelur edhe ultimatumin e përcaktuar nga ministri Lumir Abdixhiku, i cili kërkoi që ky tender të anulohet brenda datës 18 shkurt, shkruan sot gazeta Zëri.
“Luteni t’i merrni hapat e nevojshëm ligjorë jo më larg se më datën 18 shkurt 2020, deri në fund të orarit të punës dhe të më raportoni me shkrim”, thuhet në shkresën e Abdixhikut të drejtuar Reçicës. Ky vendim për anulimin e këtij tenderi, sipas Abdixhikut, po bëhet me qëllim që shteti i Kosovës të mos futet në obligime financiare ende pa u miratuar buxheti për vitin 2020.
Ish-zëvendësministri i Infrastrukturës në qeverinë “Haradinaj”, Rexhep Kadriu, në një deklaratë për “Zërin”, duke e komentuar vendimin e Qeverisë aktuale për anulimin e tenderit për ndërtimin e autostradës së Gjilanit, ka thënë se nuk ka fuqi politike në Kosovë që mund ta stopojë ndërtimin e kësaj autostrade. “Nuk ka fuqi, as ministër e as kryeministër në këtë Qeveri që mund ta ndalë ndërtimin e autostradës së Gjilanit.
Kjo është bërë vetëm për çështje politike, për poenë politikë dhe në këtë veprim nuk ka shkelje ligjore, sepse është planifikuar një gjë e tillë edhe me buxhet për tre vjetët e ardhshëm. Këtu nuk kemi çfarë të diskutojmë, përpos që duhet t’i procedojmë procedurat konform rregullave ligjore”.
Derisa ka pohuar se punimet në këtë zonë po vazhdojnë, Kadriu e ka arsyetuar vendimin e ish-kabinetit “Haradinaj” për shpalljen e tenderit të ri për ndërtimin e kësaj autostrade. Sipas tij, ky vendim është bërë me qëllim që punimet në këtë zonë të vazhdojnë pa ndalesa. “Ne nuk kemi bërë asnjë shkelje ligjore, sepse realisht ky projekt ka qenë i planifikuar, ashtu siç ka qenë edhe buxheti i planifikuar për këtë autostradë dhe ne duke e parë se e kemi në buxhet, e kemi bërë shpalljen e këtij tenderi. Mirëpo arsyetimi, të cilin e ka dhënë Abdixhiku se buxheti nuk është i aprovuar, procedurat e tenderimit mund të mbyllen dhe buxheti mund të aprovohet brenda 10 ditëve, atëherë çka ka të keqe? Ne vetëm jemi ngutur ta zëmë sezonin e verës, asgjë tjetër”, është shprehur më tutje ai.
Kësisoj sipas ish-zëvendësministrit të Infrastrukturës, punimet për ndërtimin e kësaj autostrade po vazhdojnë me një intensitet më të ulët për shkak të kushteve atmosferike që po mbretërojnë në vend. /ZERI