Kadriu, Berisha dhe Latifi, ndezin qirinj në shenjë pakënaqësie për projektin e Stadiumit në Gjilan
Në Gjilan, mungesa e përparimit në projektin e stadiumit të qytetit ka sjellë mllef dhe zhgënjim tek qytetarët shkruan Radio Star.
Ky projekt, i cili tash e katër vjet nuk ka gjetur rrugën e përfundimit, është përballur me shumë shkelje gjatë procesit të tenderimit.
Në shenjë pakënaqësie për këtë situatë, Kushtrim Kadriu, së bashku me këshilltarin komunal Latif Maliqi dhe ish-asambleistin Burim Berisha, vendosën qirinj në stadiumin e papërfunduar.
Ndërkohë që projekti i stadiumit është anuluar për momentin, ka ende shpresë që autoritetet lokale dhe qendrore do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të rifilluar punimet dhe për të siguruar që projekti të përfundojë me sukses.
E ardhmja e projektit të stadiumit mbetet e paqartë, por shpresa për përmirësim dhe përfundim të suksesshëm të tij vazhdon të mbetet tek qytetarët e Gjilanit.
Shkrimi i plotë i Kushtrim Kadriut:
Duke qenë të mllefosur me mosfillimin e punëve në stadiumit të qytetit, projekt i cili tash e katër vjet nuk po gjen rrugën e përfundimit, sonte së bashku me këshilltarin komunal z. Latif Maliqin dhe ish- asambleistin Burim Berisha, në shenjë pakënaqësie vendosëm qirinjë me rastin e vdekjes së projektit të stadiumit, i cili përfundimisht u anulua si rezultat i shkeljeve të shumta në tenderimin e tij.
Ky stadium, edhe do të bëhet ndonjëherë, me ikjen e të rinjve me gjasë nuk do të ketë kush ta gëzojë atmosferën dhe spektaklin e tij të dikurshëm e të njohur në mbarë Evropën./Radio Star/