Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Rexhep Kadriu po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Transporti modern rrugor dhe logjistika e biznesit”, që po mbahet në Budva në Mal të Zi.
“Në margjinat e kësaj konference pata kënaqësinë që bashkë me shefin e kabinetit të Ministrit Lekaj dhe Ambasadorin tonë në Mal të Zi, Skender Durmishi, të takohemi me Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Detare, Osman Nurkoviç. Ministrit Nurkoviç, i përcjella përshëndetjet e Ministrit tonë të Infrastrukturës, z.Pal Lekaj dhe po ashtu në emër të tij e ftova që ta vizitojë Kosovën, për të biseduar shtruar për temat që na preokupojnë të dyja vendet tona, në sektorin e infrastrukturës rrugore dhe asaj hekurudhore”, ka thënë Kadriu.
Ai ka thënë po ashtu që ka biseduar edhe për të parë mundësitë e bashkëpunimit dhe të bashkëfinancimit të projekteve që e bëjnë më të lehtë komunikimin ekonomik dhe të shtetaseve nga të dyja vendet.
“Nga ministri Nurkoviç, morëm gatishmërinë e tij për bashkëpunimin e dy ministrive respektive dhe u shprehë me admirim për punët që po bëhen në Republikën e Kosovës dhe zhvillimeve tona për tu lidhur me korridore të rëndësishme infrastrukturore ndërkombëtare disa nga të cilat e përshkojnë edhe Malin e Zi”, ka thënë zëvendësministri Rexhep Kadriu.