“Kohëve të fundit janë bërë lajm deklarimet e presidentit Hashim Thaçi lidhur me idenë e bashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën. Por, ne njoftojmë Presidentin se edhe 19 vjet pas luftës, mijëra qytetarë të dëbuar nga Kosova Lindore janë pa dokumente të Republikës së Kosovës”.
Kështu thotë, Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, sipas të cilit, politika kosovare premton sa herë që bëhet fjalë për t’i pajisur luginasit me dokumente, por veprat dëshmojë të kundërtën.
“Qytetarë janë dëbuar nga vendi i tyre padrejtësisht, në një gjendje të jashtëzakonshme dhe kanë kaluar kufirin në gjendje jo administrative.
Prandaj ne cilësojmë absurde kur u kërkohen dokumente nga shteti serb për t’i pajisur pastaj me dokumente te Kosovës. Pos kësaj, ende nuk kanë ndaluar politikat serbe antishqiptare, duke çregjistruar çdo ditë shqiptarë nga librat e amëzës. E këtu në Kosovë, u kërkohen pasaporta serbe që t’u japin letërnjoftime të Kosovës”, thotë Kadriu.
Sipas tij zgjidhja e këtij problemi, do të ishte shumë e thjeshtë, të nxirret një udhëzim administrativ apo një dekret nga Presidenti i Republikës Hashim Thaçi vetëm për këtë pjesë të shoqërisë, luginasit e ardhur, në gjendje lufte.