Gjilan, 15 prill 2017 / Me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, është mbajtur tubimi përkujtimor në Zhegoc, i organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për të shënuar 15 prillin, ditën e “Betejës së Zhegocit”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, veteranë të luftës, FSK-ja, përfaqësues nga Policia, deputetë, aktivistë e veprimtarë të çështjes kombëtare dhe shumë qytetarë.
Në emër të Komunës së Gjilanit para të pranishmëve ka folur nënkryetari Rexhep Kadriu, i cili Betejën e Zhegocit e ka vlerësuar si Betejë të Lavdisë dhe një kohësisht reflektim për angazhim edhe më të madh në zhvillim të vendit dhe ardhmërisë.
“Në këtë betej të lavdisë kanë ra shumë dëshmor të lirisë që edhe në luftën e fundit dëshmuan se Karadaku gjithnjë ka qenë promotor i qëndresës, i luftës, i gjakut i rezistencës heroike, kundër një okupatori që u dëshmua gjithandej që ishte gjenocidial, vrastar dhe kriminel me qëllim spastrimi të shqiptarëve autokton të Gadishullit Ballkanik. Malësia e Zhegocit ishte shndërruar në arenë të ashpër të luftimeve me rënien e flijimin sublim në altarin e lirisë. Komuna e Gjilanit, qytetarët e saj dhe gjithë shqiptarët, janë gjithmonë krenar me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kishte ideal lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit”, ka thënë mes tjerash nënkryetari Rexhep Kadriu.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij ka thënë se gjithçka që sot kemi dhe zhvillojmë është meritë e gjakut të dëshmorëve, dhe të rënëve për liri. Ai poashtu ka thënë se institucionet e vendit, janë gjithnjë në shërbim të vlerave të larta të luftës, të sakrificës dhe veprës më sublime e një vendi i cili lufton për lirinë e vet dhe këtë e arrin edhe me mbështetjen e botës perëndimore.
Në këtë tubim fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjilan, Jeton Sherifi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, të cilët vlerësuan se familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenare për sakrificën e bijve të tyre për të mirën e përgjithshme.
Në betejën e Zhegocit u vranë tetë ushtarë të UÇK-së: Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu, Njazi Osmani, si dhe 18 civilë. Ndërsa, në fshatin Sllovi u vranë 49 civilë.