Futbollistët binjakë afrikanë, Keita Razak Alassane dhe Keita Aziz Lanzeni (22-vjeçarë), nënshkruan kontrata dyvjeçare me Gjilanin në Superligën e Kosovës, duke e lënë ekipin e SC Majees nga Omani. Kështu e nis shkrimin e saj mediumi afrikan “Sport-Ivoire” për dy prurjet më të reja të Gjilanit ditë më parë, një lëvizje që ngjalli kureshtjen e gjithë opinionit sportiv, shkruan gazeta “Zëri”.
Klubi i Gjilanit e zyrtarizoi marrëveshjen përmes një shkrimi në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”. “Këtë 17 shkurt Gjilani ka finalizuar marrëveshjen me dy futbollistët afrikanë. Ata janë Keita Aziz Lanzeni dhe Keita Razak Alassane. Vëllezërit 22-vjeçarë u prezantuan në ambientet e klubit, duke nënshkruar kontrata të vlefshme deri në vitin 2021”, thuhej në njoftimin e klubit nga Gjilani. Këta lojtarë vijnë nga Bregu i Fildishtë.
Binjakët kanë zhvilluar më parë karrierë në Tunizi dhe në Oman, teksa për Gjilanin debutuan në barazimin pa gola kundër Flamurtarit në xhiron e kaluar me rezultat 0:0.
Raza, që luan si sulmues, tha se me vëllain e tij kanë ardhur ta ndihmuar Gjilanin drejt arritjes së objektivave. “Nuk e njihnim mjaft mirë kampionatin kosovar dhe Kosovën, por fillimisht kemi mbetur të kënaqur me mirëpritjen nga njerëzit në Kosovë”, u shpreh Raza.
Më tutje ai ka treguar objektivat e tij dhe të vëllait me skuadrën e Gjilanit. “Kemi ardhur t’i tregojmë aftësitë tona dhe t’i arrijmë qëllimet e klubit në vazhdim”, është shprehur Raza në mes të tjerash.
Ndryshe, Gjilani nuk e ka nisur stinorin pranveror në mënyrën më të mirë të mundshme në kampionatin elitar kosovar. Në ndeshjen e parë në derbi humbi nga Drita (3:1), për të barazuar më pas me Flamurtarin (0:0).
Pas 19 ndeshjeve të zhvilluara Gjilani renditet në vendin e pestë me 28 pikë të grumbulluara. Gjithashtu vlen të përmendet se pas humbjes nga Drita Kryesia e klubit vendosi t’i ndajë rrugët me trajnerin Sadat Pajaziti, teksa tani skuadrën përkohësisht e drejton Alban Hyseni.
Si Keita Aziz Lanzeni, ashtu edhe vëllai i tij Aziz janë shprehur të kënaqur me ardhjen e tyre në futbollin kosovar, teksa ata thonë se fryma sportive në vend u ka lënë mjaft shumë përshtypje. “Më pëlqen shumë ambienti i ri pasi që në Gjilan ka frymë sportive dhe këtu njerëzit jetojnë me futbollin. E kam ndjekur edhe takimin derbi mes Dritës dhe Gjilanit, ku ishte një ambient i mirë sportiv. Besoj se në ndeshjet e radhës me bashkëlojtarët tanë do të bëjmë gjëra të mëdha dhe do t’i gëzojmë tifozët e skuadrës sonë”, është shprehur Keita Aziz.
I të njëjtit mendim është edhe vëllai i tij, i cili është shprehur tejet i kënaqur me aventurën e tij të re me klubin gjilanas.