Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka njoftuar se masat e vëna ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 kanë filluar të largohen gradualisht.
Kallas ka thënë se me këtë hap Kosova do të ketë një mundësi më të madhe për të forcuar dhe zhvilluar lidhjet e saj me Bashkimin Evropian.
Megjithatë, sipas saj i gjithë ky proces varet nga situata në veri të Kosovës, ku si faktor deeskalimi ka cekur mbylljen e strukturave atje.
“Si shenjë e përkushtimit tonë mund të iu njoftoj se BE-ja ka filluar që gradualisht t’i largojë masat që janë prezentuar në qershor 2023 dhe tani do të ketë një mundësi më të madhe për zhvillimin e Kosovës që t’i zhvillojë lidhjet me BE-në por kjo varet nga deeskalimi në veri. Mbyllja e strukturave paralele në veri ndikon gjithashtu në deeskalim”, ka deklaruar Kallas në konferencën për media të mbajtur pas arritjes së saj në Kosovë.
Kallas në konferencë po ashtu ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të cilin ka thënë se mbetet prioritet kryesor dhe se si përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian do të vazhdoj ta përkrah.
Kallas ka shtuar se nga ky proces në të cilin sipas saj Kosova dhe Serbia janë të barabarta varet stabiliteti mes dy vendeve dhe nuk varet nga konfrontimet.
“Prioritet kryesor mbetet normalizimi I marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ju jeni partner të barabartë në tavolinë dhe si përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian do të vazhdoj që të përkrah këtë proces. Për ata të cilët ende kanë dyshime për këtë proces të jem e qartë: normalizimi i marrëdhënieve është pjesa e vetme për një rrugë, për një të ardhme më të sigurt dhe prosperuese për njerëzit e këtij rajoni. Stabiliteti varet nga dialogu jo nga konfrontimet”, është shprehur Kallas./teve1.info/