Ditë më parë Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka mbyllur hetimet për vdekjet e dyshimta të anëtarëve të familjes Bllaca në Gjilan.
Prokuroria ka vërtetuar se vrasjet e anëtarëve të familjes Bllaca, nuk janë shkaktuar nga veprimet inkriminuese të personave tjerë, përveç të polices, Valdete Bllaca.
Por, për këtë rast ishin suspenduar edhe katër punonjësit e Policisë së Kosovës, me arsyetim se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në rastin e tragjedisë së Gjilanit.
Inspektorati Policor ka dyshuar se arma ishte marrë nga një kasafortë brenda stacionit të Policisë në Gjilan, ani se policja Bllaca kishte probleme shëndetësore dhe ishte trajtuar nga psikologu.
Sipas IPK-së ka dyshime se armën ia ka dhënë edhe ndonjë zyrtarë policor.
Për këtë, gazeta Objektiv merr vesh se është ngritë kallëzim penal ndaj Xhavit Azizit, staf civil në policinë e Gjilanit.
“Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan ka ndërmarrë veprime hetimore dhe në konsultim me këtë prokurori ka ngrit kallëzim penal ndaj një punonjësi të PK-së me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
E me të dyshuarit e tjerë nuk po merret më IPK-ja, pasi që nuk janë siguruar prova se kanë kryer ndonjë vepër penale.
“Sa i përket të dyshuarve të tjerë, pasi që gjatë hetimit nuk janë siguruar prova dhe dëshmi se të njëjtit kanë kryer ndonjë vepër penale në lidhje me këtë rast, rasti është përcjellë në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Polici të Kosovës për trajtim administrativ për shkelje të mundshme disiplinore. Pasi që IPK ka përfunduar hetimet dhe ka pushuar arsyeja e suspendimit, me rekomandim të IPK-së dhe me vendim të PK-së të njëjtëve u është ndërprerë masa e suspendimit”, përfundon IPK.
Ky kallëzim penal është dorëzuar tani në Prokurorinë Themelore të Gjilanit. Prokurori Arben Kadriu tha për objektivin se ai është duke e shqyrtuar.
“Është duke u shqyrtuar ai kallëzim penal. Nuk ka të bëj rreth vrasjes, por rreth menaxhimit, ka të bëjë me ruajtjen dhe mbrojtën e armëve”, ka përfunduar Kadriu./Objektiv