Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se pajtimi u arrit në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel.
Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.
Paraprakisht, Republika Çeke, e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së, kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.
Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë.
Sipas propozimit të miratuar, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.