Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se nuk do të marrë më pjesë në punimet e ardhshme parlamentare, në shenjë proteste ndaj, siç theksoi, shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe mungesës së vullnetit politik për reforma reale demokratike.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, Kamberi ka sqaruar arsyet e këtij vendimi duke e nisur me faktin se përfaqëson një komunitet që “i qëndron besnik vetëm orientimit pro evropian të Ballkanit Perëndimor dhe beson fuqishëm në vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë”. Ai ka theksuar se “respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave është themeli i çdo shoqërie të shëndoshë evropiane”.
Kamberi ka komentuar edhe situatën politike në Serbi, ku opozita pro evropiane ka bojkotuar punën e Parlamentit, duke e cilësuar këtë si reagim ndaj “krizës së thellë politike dhe institucionale në vend”. Në të njëjtën frymë, ai ka folur për realitetin e rëndë me të cilin përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës:
“Mosnjohja e diplomave, nënpërfaqësimi politik dhe institucional, pasivizimi administrativ dhe mungesa e perspektivës ekonomike janë bërë pjesë e një agjende sistematike që synon shpopullimin e Luginës së Preshevës nga shqiptarët”, ka shkruar Kamberi.
Sipas tij, pavarësisht tre marrëveshjeve të nënshkruara me Beogradin në vitet 2001, 2009 dhe 2013, gjendja e shqiptarëve në Serbi nuk ka njohur përmirësim të prekshëm.
“Duke vërejtur mungesën e plotë të vullnetit politik për të proceduar me nismat dhe iniciativat ligjore që do të përmirësonin pozitën e shqiptarëve në Serbi – të cilat tashmë prej muajsh mbeten të bllokuara në procedurat parlamentare”, ka thënë Kamberi, duke shtuar se vendimi i tij për bojkot është një hap i domosdoshëm.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se “demokratizimi i Serbisë nuk është çështje e thjeshtë e ndërrimit të pushtetit, por kërkon vullnet të sinqertë për reformë, respekt për të gjithë qytetarët dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet”, duke shtuar se kjo nuk mund të ndodhë pa një “shkëputje përfundimtare nga politika imperialiste e viteve ’90”.
Në përmbyllje të deklaratës së tij, Kamberi ka thënë se në këto rrethana, nuk do të marrë pjesë në punimet e ardhshme të Parlamentit të Serbisë.
“Përfaqësuesit politikë shqiptarë ndër vite kanë ngritur zërin në Parlament duke folur në emër të të drejtave, barazisë dhe të ardhmes evropiane, duke kërkuar respektimin e normave themelore të të drejtave të njeriut dhe duke apeluar ndaj Bashkimit Evropian për zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2001, 2009 dhe 2013 – fatkeqësisht pa sukses. Shoqëria vërtet pro evropiane mund të ndërtohet vetëm duke garantuar kushte të barabarta dhe trajtim dinjitoz për të gjithë – përfshirë shqiptarët. Ajo nuk mund të ndërtohet mbi mitet e së kaluarës, as mbi trillimet historike dhe as mbi ambicien për hegjemonizëm në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kamberi.
Ai ka thënë se për hapat e ardhshëm politikë do të njoftojë në kohën e duhur, dhe se ato do të koordinohen me aleatët politikë dhe të gjithë ata që vërtet besojnë në vlerat properëndimore dhe demokratike.