Deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka falënderuar çdo mbështetës, votues, aktivist që në zgjedhjet e 17 dhjetorit treguan gatishmërinë që të mbështesin kauzën e tij politike.
Tutje, ai ka thënë se sonte, njësia numër 6 në Preshevë ua ka dhënë edhe një shtysë, që angazhimin e tij politik ta vazhdojë e intensifikojë edhe më shumë.
“Sonte, njësia nr. 6 në Preshevë na dha edhe një shtysë, që angazhimin tonë politik ta vazhdojmë e intensifikojmë edhe më shumë, që edhe në zgjedhjet lokale në këtë komunë të tregojmë që ata të cilët gojën e kanë plotë akuza e kritika për Kosovën e Shqipërinë, përderisa ne diskriminimin e përjetojmë nga Qeveria në Beograd, nuk e kanë vendin në krye të komunës me popullsinë më të madhe shqiptare në Luginë”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
“Preshevës i duhet udhëheqësi që kritikat i ka ndaj Qeverisë në Beograd, nga ku kjo komunë është anashkaluar duke mbetur si më e varfra e me rrogën më të ulët në tërë territorin e Serbisë, nga ku merren vendimet për të mbetur pa gjykatë e ndër komunat më të pazhvilluara! Ndërsa ndihmën e jo akuzat i kërkon në qeveritë e Kosovës e Shqipërisë! E për këto, betejat tona s’do ndalen, ato do vazhdojnë përditë!”, ka shkruar ai.