Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj deklaratave të Aleksandar Vuçiqit, kundër listës së përbashkët parlamentare shqiptare, duke thënë se përpjekja për ta paraqitur atë si armike të shtetit synon ta zhvendosë vëmendjen nga problemet dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kamberi, përmes një reagimi, ka vlerësuar se shqetësimi i Vuçiqit nuk duhet parë vetëm në kontekstin e numrit të mandateve që mund të fitojë koalicioni shqiptar, por edhe në ndikimin politik dhe diplomatik që mund të ketë një përfaqësim i bashkuar dhe i pavarur.
“Çështja nuk është domosdoshmërisht sa deputetë shqiptarë do të hyjnë në Parlament, por çfarë do të përfaqësojnë ata politikisht dhe çfarë mund të bëjnë me atë përfaqësim”, ka shkruar Kamberi.










