Kosova U21 e ka mbyllur kampanjën eliminatore për Kampionatin Evropian 2027 me një barazim spektakolar 4-4 ndaj Finlandës, duke përfunduar një cikël si më të suksesshmin në historinë e kësaj përfaqësueseje.
Dardanët U21 e mbyllën Grupin A në pozitën e katërt, në një grup jashtëzakonisht të vështirë, ku përballë kishin Spanjën, Finlandën dhe Rumaninë. Të tria këto Kombëtare ishin pjesë e Kampionatit Evropian U21 të vitit 2025 dhe në këtë kampanjë kishin në dispozicion një numër të madh të futbollistëve që kishin qenë pjesë e Evropianit të fundit.
Pavarësisht konkurrencës së fortë, Kosova grumbulloi plot 15 pikë, me katër fitore, tri barazime dhe vetëm tri humbje, dy ndaj Spanjës dhe një ndaj Rumanisë.
Por mbi të gjitha, kjo kampanjë do të mbahet mend për punën e bërë nga Hekuran Kryeziu.
33-vjeçari e mori drejtimin e Kosovës U21 në mes të kampanjës, pas largimit të Afrim Tovërlanit, i cili gjithashtu kishte bërë një punë të mirë në ndeshjet e para. Por një detaj e bën edhe më të veçantë historinë e Kryeziut: ai kishte qenë pjesë e stafit të Tovërlanit si ndihmës dhe e kishte ndjekur nga afër këtë gjeneratë që nga fillimi i kampanjës.
Kjo bëri që kalimi i tij në pozitën e përzgjedhësit të mos ishte një ndryshim i panjohur për grupin. Kryeziu e njihte skuadrën, futbollistët, karakteristikat e tyre dhe mënyrën se si funksiononte grupi, duke pasur kështu mundësinë që punën e nisur në bashkëpunim me Tovërlanin ta vazhdonte tashmë si trajner i parë.
Dhe deri tani, po e bën në mënyrë fantastike.
Ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës, një nga emrat e rëndësishëm të gjeneratës së parë të Dardanëve, po shkruan një kapitull të ri në karrierën e tij.
Kryeziu arriti t’i japë Kosovës U21 një identitet, besim dhe karakter të madh në fushë. Nën drejtimin e tij, kjo skuadër nuk u dorëzua përballë kundërshtarëve të fortë dhe e mbylli kampanjën me një ndeshje që e përmbledh më së miri shpirtin e kësaj gjenerate: 4-4 ndaj Finlandës.
Edhe më mbresëlënës është fakti se Kosova i mori Finlandës dy barazime në këtë kampanjë, fillimisht 0-0 dhe më pas 4-4. Finlanda, në të gjithë ciklin eliminator, pësoi vetëm shtatë gola: tri ndaj Spanjës dhe katër ndaj Kosovës.
Kjo nuk është rastësi.
Është dëshmi e punës së bërë nga një staf teknik që arriti ta përgatisë Kosovën për të qenë konkurruese edhe përballë kundërshtarëve që në letër kishin shumë më tepër eksperiencë ndërkombëtare.
Hekuran Kryeziu meriton një përmendje të veçantë.
Në vetëm 33 vjeç, ai po tregon se mund të ketë një të ardhme shumë të mirë edhe në bankinë. Nga një lider në fushë me fanellën e Kosovës, Kryeziu po shfaqet tashmë si një trajner që di t’u transmetojë futbollistëve të rinj karakterin, disiplinën dhe mentalitetin që e kanë karakterizuar edhe gjatë karrierës së tij si futbollist.
Puna e tij me Kosovën U21 është për t’u duartrokitur.
Ai e mori një ekip që tashmë kishte kaluar nëpër një ndryshim në stol dhe, në vend që kjo të ndikonte negativisht, arriti ta mbajë grupin të bashkuar dhe konkurrues deri në fund të kampanjës.
Bashkë me punën e bërë nga Afrim Tovërlani në pjesën e parë të ciklit, Kryeziu ishte pjesë e një kampanje historike për Kosovën U21, e cila grumbulloi 15 pikë, më së shumti në një kampanjë kualifikuese të kësaj përfaqësueseje.
Mëkat që kjo gjeneratë nuk arriti të kualifikohej në Euro 2027.
Por, nëse ka një fitues të madh nga kjo kampanjë, përveç vetë gjeneratës së futbollistëve, ai është edhe Hekuran Kryeziu.
Tashmë, vëmendja kalon te kampanja e ardhshme, ku do të jenë në dispozicion gjeneratat e lindura në vitet 2006 dhe 2007.
Dhe është pikërisht aty ku Federata e Futbollit të Kosovës duhet t’i japë Kryeziut mundësinë për të vazhduar punën.
Sepse një trajner 33-vjeçar, që e njeh nga afër mentalitetin e futbollistit kosovar, që ka kaluar vetë nëpër Kombëtare, që e ka njohur këtë gjeneratë fillimisht si ndihmës dhe që tashmë ka dhënë sinjale shumë të mira në bankinë, mund të jetë një investim i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.
Kryeziu sapo ka nisur rrugëtimin e tij si trajner.
Dhe ajo që ka treguar me Kosovën U21 në këtë kampanjë është një arsye e fortë për të besuar se kjo mund të jetë vetëm fillimi i një karriere të madhe në bankinë.


