Si asnjëherë më parë në listat e subjekteve politike janë përfshirë shumë gjilanas, të cilët mëtojnë të bëhen deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ndryshe nga herët tjera, kur shumë pak subjekte politike bënin koalicione parazgjedhore, tashti gjilanas të subjekteve të ndryshme politike do të jenë në të njëjtën listë, kurse edhe vetë ata që garojnë kërkojnë që vota e qytetareve të Gjilanit të shkojë pikërisht për kandidatët gjilanas. Interesi i gjilanasve është që në Kuvend të kenë sa më shumë deputetë që do të mbrojnë interesat e qytetit të Gjilanit dhe të Anamoravës, derisa subjektet politike, përfshirë këtu edhe koalicionet interes të tyre do t’a kenë që të kenë sa më shumë deputetë, në mënyrë që t’i fitojnë zgjedhjet dhe që më pas të kenë mundësi të krijojnë qeverinë.
Por, për kë do të mund të votojnë gjilanasit? Cilët janë kandidatët që janë përfshirë në listat e subjekteve politike dhe të koalicioneve. Në vazhdim po paraqesim emrat e kandidatëve, duke qenë të vetëdijshëm se ndonjë prej tyre nga subjektet e vogla politike mund të na jetë shmangur, përfshirë aty edhe kandidat nga subjektet politike serbe.
Lista PDK – AAK – Nisma
Zenun Pajaziti (PDK) – Ish-shef i grupit të deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës. Ish- ministër dhe person që ka bartur funksione të ndryshme politike. Tashti kryetar i degës së PDK-së në Gjilan.
Leonora Morina – Bunjaku (PDK) – Këshilltare Komunale në Asamblenë Komunale të Gjilanit. Profesoreshe e Gjuhës Angleze në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan.
Ahmet Isufi (AAK) – Ish- komandant i Zonës Operative të Karadakut, ish-ministër në Qeverinë e Kosovës dhe nënkryetar i AAK-së. Ish- deputet në Kuvendin e Kosovës.
Rexhep Kadriu (AAK) – Aktualisht nënkryetar i komunës së Gjilanit dhe kryetar i degës së AAK-së në Gjilan. Nën udhëheqjen e tij, AAK për herë të parë është bërë pjesë e qeverisjes komunale.
Magbule Shkodra (AAK) – Kryetare e Aleancës së Gruas së Kosovës. Ndonëse jeton në Prishtinë ajo është me prejardhje nga Gjilani dhe një pjesë të zgjedhësve e ka pikërisht në Gjilan.
Valdete Bajrami (Nisma) – Një ndër deputetet më aktive në legjilaturën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, duke qenë edhe shefe e këshilltarëve të Nisma në Kuvend. Ndërmorri nsimën për rrëzimin e qeverisë.
Bajram Hasani (Nisma) – Kryetar i degës së Nisma në Gjilan dhe ishte zgjedhur këshilltar komunal në Gjilan si anëtar i PDK-së, por menjëherë me formimin e Nisma u deklarua si këshilltar i këtij subjekti politik.
Lista LDK – AKR – Alternativa
Lirije Kajtazi (LDK) – Ish- deputete në Kuvendin e Kosovës, ish- zëvëndësministre dhe ndër të parat kandidate femra për kryetar komune në Kosovë. Ajo është edhe kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së.
Valentina Bunjaku – Rexhepi – Kryesuese e Asamblesë Komunale në Gjilan. Njëra ndër femrat më të votuara në zgjedhjet komunale. Për disa vite me radhë udhëhoqi forumin e gruas në degën e LDK-së në Gjilan.
Imet Rrahmani (LDK) – Ministër në detyrë për Shëndetësi në qeverinë e Kosovës. Në qeverisjen e tashme ishte ministri i vetëm nga Gjilani në qeverinë e Kosovës. Ai është edhe nënkryetar i degës së LDK në Gjilan.
Isa Agushi (LDK) – ish- komandant i UCK-së, i njohur me nofkën komandant Dardani. Aktualisht është këshilltar komunal në Asamblenë Komunale të Gjilanit.
Ismet Hajdini (AKR) – Ish-drejtor i Inspeksionit në Gjilan, aktualisht është këshilltar në Asamblenë Komunale të Gjilanit dhe kryetar i degës së AKR-së në Gjilan.
Labinotë Demi – Murtezi (AKR) – Ish- deputete në Kuvendin e Kosovës. Së fundi ka lanë Partinë e Drejtësisë dhe i është bashkëngjitur AKR-së, duke u bërë pjesë e listës së këtij subjekti politik.
Selvete Shurdhani (Lëvizja për Drejtësi) – Aktualisht është këshilltare në Asamblenë Komunale të Gjilanit. Është kryetar e degës e këtij subjekti politik, me profesion specialiste e mjekësisë për sëmundje ngjitëse.
Abdyl Halimi (Lëvzija “Vatra”) – I kandiduar nga “Vatra” që tubon të zhvendosurit nga Komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Aktivist i kahershëm nëpër forumet rinore.
Lëvizja VETVENDOSJE
Ismajl Kurteshi – Ish-deputet në Kuvendin e Kosovës në disa mandate. Udhëheqës i komunës së Gjilanit menjëherë pas clirimit dhe ka ushtruar edhe funksione të shumta në nivel komunal e shtetëror.
Sami Kurteshi – Ish-avokat i popullit në Kosovë. Veprimtar i kahershëm i çështjes kombëtare. Me profesion jurist tashti mëton të zgjidhet deputet në Kuvendin e Kosovës.
Shemsi Syla – veprimtar i kahershëm i çështjes kombëtare, ish-zëvendëskomandant i UCK-së në Zonën Operative të Karadakut e pas lufte komandant në forcat e TMK-së e FSK-së.
Shkurte Aliu – aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje që nga ditët e para. Tashti jeton jashtë Gjilanit, por mëton se ka një numër të madh të zgjedhësve në Gjilan.
Hydajet Hyseni – Ish- veprimtar i njohur i çështjes kombëtare dhe ish- i burgosur politik për shumë vite. Në disa mandate ishte deputet në Kuvendin e Kosovës.
Besa Baftiu – Deputete në Kuvendin e Kosovës në përbërjen e kaluar. Kryetare e qendrës së VV-së në Gjilan, me profesion mjeke, specialiste e pediatrisë.
Arjeta Rexhepi – Këshilltare komunale në Asamblenë Komunale të Gjilanit. Mësimdhënëse e matematikës në Gjilan.
Nevzad Isufi – Shef i këshilltarëve të VV-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit dhe nënkryetar i kësaj lëvizje në Gjilan për disa vite me radhë. Mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkollën e Mesme Teknike.
FJALA
Ardian Hyseni – Për herë të parë është kandidat për t’u zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës. Me profesion mësimdhënës, ka magjistruar në shkencën e biokimisë.
Share this: