Një kandidate në konkursin për infermiere në Spitalin e Gjilanit ka konfirmuar se testi me shkrim ishte shpërndarë nga brenda. Për shpërndarjen e testit Gazeta Shneta ka raportuar ditë më parë.
Nazmije Salihu-Bllaca kandidate për infermiere në konkursin e Spitalit të Gjilanit, e ka konfirmuar se testi me shkrim në këtë konkurs ishte shpërndarë dhe publikuar nga brenda, shkruan Gazeta Shneta.
Kështu ka deklaruar Salihu-Bllaca në ankesën e saj të cilën e ka deponuar në organet e SHSKUK-së pasi nuk u pranua në punë, edhe pse doli e dyta në listën e rezultateve në testin me shkrim.
“Ka pasur parregullësi për shkak të publikimit të testit nga brenda nga shumë aplikues, kjo gjë është e ndaluar. Gjithashtu kam vërejtur se janë pranuar kandidatët me shtytje politike dhe jam e bindur që ky konkurs është manipulim total”, ka shkruar Salihu-Bllaca në ankesën e saj.
Ajo ka thënë se ka pasur pikë maksimale në test dhe ka rezultuar e dyta në listë.
“Kam vërejtur që kandidatë me pik më pak se unë janë pranuar sepse gjatë intervistimit me gojë kanë manipulu”, ka shkruar kandidatja në ankesën e saj.
Ajo ka thënë se ka përvojë pune nga viti 2014 dhe ka bërë thirrje që të përsëritet ose të anulohet në tërësi.
Gazeta Shneta ditë më parë ka raportuar për shpërndarjen e testit në këtë konkurs. Por SHSKUK dhe Spitali i Gjilanit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje për këtë rast. /Gazeta Shnet/