Gjilanasit përveç që bën paraqitje të jashtëzakonshme në garat evropiane, kanë shkëlqyer edhe në tregun e transferimeve.
Emra si Muharrem Jashari, Arbnor Muja, Marko Simonovski, Rron Broja apo Agim Zeka janë prezantuar tanimë te gjiganti kosovar.
E për përforcimet e Dritës ka folur edhe drejtori sportiv i kësaj skuadre për Gazetën Olle, Valon Zymberi.
Përgjegjësi kryesor i gjilanasve për transferime ka thënë se kanë bërë një punë të jashtëzakonshme të gjithë në klub për ta përforcuar ekipin.
“Mendoj që ka qenë një punë e jashtëzakonshme nga e gjithë kryesia për këtë afat kalimtar, duke ditur që ndryshimet është dashur të bëhen në kohë të shkurt pasi kishim edhe angazhime në garat evropiane”, u shpreh fillimisht Zymberi për Gazetën Olle.
Tutje drejtori sportiv i bardhekaltërve ka thënë se puna e tij është bërë edhe më e lehtë pasi mbrapa vetës ka pronarët e klubit si Flamur Bunjaku, Behar Shahini e Valon Murseli të cilët i plotësojnë çdo kërkesë.
“Tashmë klubi jonë FC Drita është në nivelet më të larta organizative, gjë që e ka bërë më të lehtë edhe punën time rreth merkatos. Gjithashtu kur i ke mbrapa pronarë si Flamuri, Valoni e Behari që ta plotësojnë çdo kërkesë, atëherë lirisht mundem me thënë që ka qenë shumë e lehtë”, vazhdoi tutje Zymberi.
Balon Zymberi, Behar Shahini, Rron Broja, Flamur Bunjaku dhe Valon Murseli
Drejtori sportiv i Dritës ka thënë se boshti i skuadrës ka qenë dhe kanë sjell në skuadër lojtarë për të shtuar konkurrencën.
“Mendoj që boshti i ekipit ka qenë dhe kemi sjell konkurrencë të shëndosh dhe freski që i është dashur ekipit”.
“Kemi sjell lojtarë të profileve që i kanë munguar ekipit dhe mendoj që këtë vit do të shohim një Dritë më energjike nga vitet e kaluara”.
“Mendoj dhe besoj që kemi bërë punë të mirë në këtë afat kalimtar, ku edhe shtabi teknik me punën e tyre, në mënyrë të përkryer i ka inkorporua lojtarët e ri në ekip. Kjo është dëshmuar edhe në ndeshjet evropiane në ato pak ditë sa kanë punuar me këta lojtarë të rinj”, u shpreh Zymberi.
Tifozët e Dritës nëpër rrjetet sociale njëzëri po shkruajnë se merkato e verës së vitit 2021 është më e mira në histori të klubit.
Deri më tani Drita ka angazhuar futbollistë si Përparim Islami, Prince Balde, Arbnor Muja, Muharrem Jashari, Marko Simonovski, Almir Kryeziu, Agim Zeka dhe Rron Broja.